Deklaratat e Harun Aliut në intervistat e tij të fundit gjatë periudhës së arratisjes

Deklaratat e Harun Aliut në intervistat e tij të fundit gjatë periudhës së arratisjes

Harun Aliu: Deklaratat e tij në intervistat e fundit gjatë arratisjes

Harun Aliu, një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) në Maqedoni, i cili u vra në një pritë në Radushë të Shkupit më 12 maj 2010, ka dhënë deklarata të rëndësishme në dy intervista të realizuara gjatë periudhës së arratisjes së tij. Intervistat u publikuan në gazetën "24 orë" dhe agjencinë INA, duke ofruar një pasqyrë të rrallë mbi mendimet dhe qëndrimet e tij gjatë një periudhe të vështirë politike.

Intervistat u realizuan nga Naser Pajaziti, gazetari dhe botuesi i gazetës "24 orë", e cila u mbyll pak muaj më vonë. Në intervistat, Harun Aliu diskuton për presionet politike, skenarët e montuar kundër tij, rolin e partisë Alternativa Kombëtare dhe marrëdhëniet e komplikuara me BDI-në.

Intervista për gazetën "24 Orë"

Intervista e parë u realizua në fillim të vitit 2010, vetëm pak muaj para vrasjes së tij. Harun Aliu foli për presionet që iu drejtuan, duke e akuzuar MPB-në për krijimin e skenarëve të montuar kundër tij dhe figurave të tjera politike shqiptare.

24 orë: "I nderuar ju nga një kryetar partie në Maqedoni, tanimë gjendeni i arratisur, i dyshuar për vrasjen e një pjesëtari të policisë në Shkup. Cila është e vërteta rreth kësaj që nga një figurë publike, jeni i ndjekur?"

Harun Aliu: "Së pari dua të ju bëj me dije juve dhe opinionit të mbarë që Alternativa Kombëtare e ka ngrirë aktivitetin e vet politik për një periudhë të caktuar pikërisht për atë që kryetari i saj u gjet në një proces të montuar nga MPB-ja. Mbase nuk duhet diskutuar që brenda saj apo nën hije është edhe prapavija politike, e cila na bën të mendojmë se Maqedonia tanimë është shëndrruar në një arenë, e cila ju ka dhënë rast dhe hapësirë të depërtojnë dhe të përplasen interesat e shërbimeve të ndryshme të vendeve fqinje."

24 orë: "Pse mendoni se ndodhi kjo me ju dhe ku e adresoni këtë skenar ndaj jush?"

Harun Aliu: "Pyetjen e dytë e gjeni përsëri tek përgjigja e pyetjes së parë. Pra është vetëm një prej formave të tyre e cila, duke u bërë presion të vazhdueshëm figurave që kanë një background edhe ndikim në opinion, duan që t`u shkaktojnë pezëm, revoltë madje edhe kaos vetëm e vetëm për t`i arritur qëllimet e tyre."

24 orë: "Atëherë ku mendoni se do të kërkoni drejtësinë për këtë akt të montuar ndaj jush. A keni kërkuar ndihmë diku?"

Harun Aliu: "Ne jemi në përfundim e sipër të procedurës gjyqësore. Nga të gjitha dëshmitë e ofruara, kjo lëndë apo aktakuzë tanimë është zhveshur e tëra dhe i ka dalë ngjyra, dhe si e tillë ka mbetur vetëm të kuptohet se kush e planifikoi dhe kush i`a dha ngjyrën. Procedurën në fjalë është duke e ndjekur OSCE-ja në Shkup, kuptohet me kërkesën time dhe subjektin që e drejtoj."

24 orë: "Në prizmin politik si e vlerësoni situatën e përgjithshme politike në Maqedoni?"

Harun Aliu: "Mjerim. Maqedonia që të mos gëlltitet nga shërbimet e lartpërmendura duhet të jetë korrekte me qytetarët e saj e në veçanti ndaj shqiptarëve, që fatkeqësisht Maqedonia një gjë të tillë nuk e ka kuptuar akoma. Ne shqiptarët jemi të diskriminuar nga shteti, duke na trajtuar si qytetarë të dorës së dytë. Ne shqiptarët konsiderohemi si ardhacak nga ASHAM me përkrahje nga Qeveria, derisa jemi autokton në vendet tona."

24 orë: "Po rolin e partisë shqiptare në pushtet BDI?"

Harun Aliu: "Do të kisha dashur të bëjë më tepër, por fatkeqësisht startin e kish të gabuar."

24 orë: "Çfarë duhet të bëjnë shqiptarët përballë kësaj situate të brishtë politike?"

Harun Aliu: "Unitet, angazhim, unifikim dhe harmoni të plotë në qëndrimet politike."

24 orë: "Në çfarë rrethana do të ngrini zërin për pafajësinë tuaj?"

Harun Aliu: "Tani për tani po presim fjalën e drejtësisë dhe pastaj shohim e bëjmë, sigurisht që do ta bëjmë hapin e duhur."

Intervista për agjencinë INA

Në intervistën e dytë, Harun Aliu diskuton për Alternativën Kombëtare, dallimet me BDI-në dhe rolin e tij në themelimin e UÇK-së në Maqedoni.

INA: "Alternativa Kombëtare është një parti e re politike që nuk arriti të përfaqësohet në Parlamentin e Maqedonisë në zgjedhjet e 2006. Cila ka qenë ecuria e këtij subjekti politik?"

Harun Aliu: "AK si parti ka dalur për të sjellur një mentalitet të ri, një frymë të re politike dhe kuadro të reja dhe të afta që nuk i është dhënë rasti, figura të reja të pakompromituara për t`i dhënë një shtytje përfundimtare procesit të rrumbullaksimit të çështjes shqiptare në Maqedoni."

INA: "Ju jeni një nga bashkëthemeluesit e UÇK-së dhe siç shihet nuk jeni përfshirë në BDI, partia që thirret në UÇK-në. Kjo shifet se ju keni pasur dallime sa i përket aktivitetit politik?"

Harun Aliu: "Po dallime esenciale mes AK-së dhe BDI-së. Kjo e fundit ishte një parti e cila mori mbi vete përgjegjësinë për të qenë bartëse e sakrificës së luftës së UÇK-së dhe që kishte për detyrim që të implementojë Marrëveshjen e Ohrit. Por, fatkeqësisht edhe përkundër betimit dhe premtimeve para atij elektorati, BDI shkeli rëndë mbi atë marrëveshje."

INA: "Emri juaj shumë pak është i njohur apo është bërë publik si bashkëveprimtar i UÇK-ve në Kosovë e më pas edhe bashkthemelues i UÇK-së në Maqedoni. Kush është pra Harun Aliu?"

Harun Aliu: "Pra një pjesë e opinionit më njehë si anëtar i lëvizjeve të para studentore që u organizuan në Universitetin e Tetovës. Në moshën studentore jam kyçur si anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK) dhe njëkohësisht edhe ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) – Zona Operative e dytë e cila përfshinte territorin shqiptar të Maqedonisë."

INA: "Ju pretendoni dhe argumentoni se keni qenë një nga krerët e UÇK-së në Maqedoni. Atëherë a mund të na thoni se ku qëndrojnë dallimet mes jush dhe Ali Ahmetit?"

Harun Aliu: "Ne kemi shumë dallime, sepse ai ka operuar nga Zvicra, ndërsa unë kam qenë i kyçur drejtpërdrejt në terren në Maqedoni, duke konsoliduar dhe strukturuar celulat e para dhe në vazhdimësi formësimin e UÇK-së si ushtri çlirimtare."

INA: "Ndalojmë tek periudha e 2001. Si funksiononte Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe cili ka qenë pozicioni juaj?"

Harun Aliu: "Me gjithë shokët e mi kemi operuar në terren dhe eprorët që na erdhën në ndihmë nga Kosova, Shqipëria e disa edhe nga diaspora. Ne në fillim u morëm vesh me Ali Ahmetin në atë periudhë që shtabi i përgjithshëm të përfshijë në hierarkinë e lartë kuadro dhe oficerë të lartë ushtarak. Por ndodhi e kundërt."

INA: "Po, sipas jush, a ka pasur edhe personalitete të tjera që mund ta drejtonin UÇK-në si në planin politik por edhe atë ushtarak?"

Harun Aliu: "Sigurisht që po. Unë do të kisha thënë se rol meritor dhe me aftësi të mëdha ushtarake për ta drejtuar UÇK-në kanë qenë edhe shumë personalitete të tjera."

INA: "Ju thoni se në momente vendimtare ka pasur obstruksione dhe skenare për të ju anashkaluar. Pse dhe si ndodhi kjo?"

Harun Aliu: "Është e vërtetë se ka pasur gjëra të tilla kundrejt eliminimit tim në rend të parë politik. Argumentet flasin se neve na është punuar pas shpine dhe gjatë periudhës së luftës, ku ky skenar merr formën e plotë me një komplot që më ishte përgatitur pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit."

INA: "Fillimisht pati zëra se ju do të shkoni në këto zgjedhje në koalicion me BDI-në, por kjo dështoi. Cilët ishin arsyet e këtij dështimi?"

Harun Aliu: "Dua të rikthehem nga fillimi im politik pas luftës. Duke parë se BDI pretendonte se bartë vlerat e luftës, nga dalja ime nga burgu unë drejtpërdrejt isha i nxitur dhe i kërkuar nga bashkëveprimtarët e luftës së UÇK-së për t`u kyçur në këtë parti. Por, menjëherë e kuptova se gjithçka ishte devijuar brenda këtij subjekti."

INA: "Po, pse atëherë arritët një bashkëpunim apo koalicion me PDSH-në. Çka në fakt ju bashkon juve dhe Menduh Thaçin?"

Harun Aliu: "Me PDSH-në kemi gjetur një gatishmëri për bashkëveprim dhe bashkëpunim politik, për të dhënë kontributin tonë për të realizuar kërkesat që kanë të bëjnë me ligjin për përkujdesje institucionale për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të UÇK-së."

Me pak fjalë

Harun Aliu, një nga themeluesit e UÇK-së në Maqedoni, ka dhënë deklarata të rëndësishme në dy intervista të realizuara gjatë periudhës së arratisjes së tij. Ai ka folur për presionet politike, skenarët e montuar kundër tij, rolin e Alternativës Kombëtare dhe dallimet me BDI-në. Intervistat ofrojnë një pasqyrë të rrallë mbi mendimet dhe qëndrimet e tij gjatë një periudhe të vështirë politike në Maqedoni.

Personat e përmendur


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.