“Djali im filloi të më fliste gjermanisht. Atë ditë pyeta veten: a po ikim?”

Bashkim Zejnullahu la një karrierë të sigurt drejtuese në Zvicër për t’u kthyer në Kosovën e vitit 2007. Sot udhëheq tri ndërmarrje, mbi 80 punëtorë dhe një investim prej 20 milionë eurosh që synon të bëhet lider rajonal në Evropë.
Në vitin 2006, në një shtëpi afër Bernës, Bashkim Zejnullahu u ul në tavolinë me dy fëmijët e tij: Laurentin, tetë vjeç, dhe Doruntinën, gjashtë. Ai u fliste shqip. Ata i përgjigjeshin gjermanisht. Kjo nuk ishte diçka e re – e reja ishte se atë mbrëmje ai vendosi ta thoshte me zë.
“U thashë: dua që në shtëpi të komunikojmë shqip”, kujton ai.
Përgjigjja e djalit ishte e menjëhershme dhe krejtësisht logjike: “Pse? Këtu është Zvicër. Pse duhet të flasim shqip?”
Zejnullahu ishte atëherë 31 vjeç. Pesëmbëdhjetë vjet në Zvicër. Katër shkollime të përfunduara. Një pozitë drejtuese në një kompani ndërkombëtare, pronë të vetën që nga viti 1996 dhe një jetë të sistemuar deri në detaje. Rreth 80 për qind të shoqërisë e kishte me zviceranë dhe italianë.
Me fjalë të tjera: ishte shembulli i integrimit të suksesshëm.
“Dhe atëherë thjesht e pyeta veten: a po ikim?”
Pyetjen nuk e mbajti për vete. Vendimin e mori bashkë me bashkëshorten, dhe në fillim e kufizuan me kohë: një vit, ndoshta dy në Kosovë, si një shkëputje nga jeta që bënin në Zvicër, sa fëmijët ta mësonin gjuhën dhe të integroheshin. Puna atje mbetej e sigurt.
“Thashë: po shkojmë.”
Njëzet vjet më vonë
Sot, dy dekada pas asaj mbrëmjeje, Zejnullahu drejton tri ndërmarrje në Kosovë me mbi 80 të punësuar. Po e finalizon një investim prej rreth 20 milionë eurosh në përpunimin e letrës në komunën e Vitisë — një fabrikë me teknologjinë më të avancuar në treg, e ngritur me mbështetjen e komunës, sistemit bankar vendor dhe një grupi aksionarësh. Projekti pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2026 dhe parasheh ta eksportojë 80 deri në 90 për qind të prodhimit në tregun evropian.
Objektivi që e thotë pa hezitim: lider rajonal në degën e vet.
“Mendoj se ky projekt do të jetë projekt me interes nacional.”
Ndërtimtari në moshën 16-vjeçare
Në maj të vitit 1991, kur situata politike në Kosovë po rëndohej, babai i tij bëri bashkimin familjar. Bashkimi ishte 16 vjeç kur mbërriti në Zvicër, bashkë me vëllain dhe motrën. Jeta ishte më e lehtë; integrimi jo. Kështu që filloi punë në ndërtimtari, bashkë me të atin.
“Nuk ishte punë e lehtë, por ndoshta për mua ishte një lloj shkolle,” thotë ai. “E kuptova se, nëse dëshiron diçka, duhet të punosh për të.”
Në shtator u kthye në Kosovë për ta vazhduar shkollimin e mesëm. Shkollat nuk u hapën; mësimi u zhvendos nëpër shtëpi private. Ai u kthye në Zvicër dhe filloi ndërtimin e vet, tullë pas tulle: gjermanishte në mbrëmje pas punës, gjashtë muaj në një garazh automjetesh afër Bernës, klasa e dhjetë në një shkollë të rregullt zvicerane, pastaj Gjermania — gjuhë dhe një vit shkollë e lartë për kontabilitet, e paguar privatisht. Kthim në Zvicër, financa dhe kontabilitet, më pas marketing.
“Nëse dëshiron ta ndryshosh profesionin në Zvicër, nuk je i detyruar ta ndërpresësh punën,” thotë ai. “Gjithmonë ekzistojnë mundësitë e shkollimit në mbrëmje dhe të shtunave.”
Kur bleu pronën e parë në vitin 1996, babai nuk pajtohej.
“Babai më thoshte: ‘Je budalla, pse investon atje e jo në Kosovë?’”
Njëmbëdhjetë vjet më vonë, i biri do t’i jepte të drejtë.
Nga gazetat te pelleti, nga pelleti te letra
Në qershor të vitit 2007 familja u zhvendos në Kosovë. Afati një- apo dyvjeçar nuk u respektua kurrë.
Hyrja e parë në treg ishte ajo që dinte: media. Përmes kompanisë zvicerane Jurmel, hapi degën e NewspaperDirect Canada për Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni dhe siguroi licencat për të tri tregjet. Bashkë me bashkëshorten filluan shpërndarjen e shtypit ndërkombëtar — Financial Times, Der Spiegel e tituj të tjerë — në institucione, kampe, banka dhe hotele.
“Nuk vija nga gazetaria dhe gazetaria nuk ka qenë asnjëherë profesioni im. Por mu dha mundësia që këtë fushë ta shndërroja në biznes.”
Kur portalet online e shpërbënë tregun e shtypit, kompania u mbyll. Bashkëshortja mbeti në krye të asaj pjese; ai filloi të kërkonte terren të ri. Në vitet 2008–2009 hyri në përpunimin e drithërave. Në 2010–2011 kaloi te druri: fillimisht briketi, pastaj peleti — ndër prodhuesit e parë në vend. Kapacitetet u zgjeruan, u hap edhe një pikë prodhimi në Maqedoni.
“Dështoja pak diku, mësoja diçka të re,” thotë ai për atë periudhë. “Por mundësitë këtu ishin shumë të mëdha.”
Sot kompania e tij FER operon nga Kosova në një treg ku, sipas tij, konkurrencën e ka në Zvicër dhe Gjermani — jo në rajon. “Në Zvicër sistemi kërkon numra shumë më të mëdhenj dhe shumë më shumë kohë. Këtu pata mundësinë të eksperimentoj me teknologji të ndryshme dhe të arrij deri në pikën ku jemi sot.”
Zviceranit i kishin thënë të mos dilte nga hoteli
Pengesa e parë ishte perceptimi. Në ditët e para të operimit, një mik nga Zvicra, Markus Meier, erdhi për ta ndihmuar me instalimin e pajisjeve. Kur Zejnullahu shkoi ta merrte nga hoteli në Ferizaj, mësoi se miku kishte lënë kuletën, pasaportën dhe çdo gjë personale në dhomë, nga frika se do të grabitej.
Ditën e dytë miku e la kuletën në recepsion. Ditën e tretë doli e piu kafe vetëm, në mes të qytetit. “Më tha: ‘Më kishin thënë që këtu ka njerëz të këqij, por qenka krejt ndryshe.’”
Të njëjtin krahasim e bën edhe për vendin: “Ne u kthyem nga një sistem plotësisht i rregulluar në një ‘pa-sistem’. Por kur e krahasoj Kosovën e vitit 2007 me këtë të vitit 2026, kemi bërë hapa gjigandë.”
Kritikën nuk e kursen — sistemet financiare kanë mangësi, ka politizim, ka gjëra që nuk janë të qarta. “Por prapëseprapë ka mundësi.”
Aritmetika e “Kosovës së madhe”
Argumenti i tij për diasporën nuk mbështetet te patriotizmi, por te llogaria. “Kur e sheh Kosovën si 10 mijë kilometra katrorë dhe e krahason me Zvicrën, duket shumë e vogël,” thotë ai. “Por kur e sheh ‘Kosovën e madhe’ — pra edhe diasporën — atëherë potenciali është krejt tjetër.”
Eksportin e kapitalit njerëzor e sheh si borxh të papaguar: “I kemi dhënë Evropës qindra mijëra të rinj të përgatitur, në moshën më të mirë, të gatshëm për punë, pa pasur nevojë që ato shtete të investonin në rritjen e tyre.”
“Në njëfarë mënyre, Zvicra na ka shumë borxh.”
Por afati nuk është i pafund. Mbesat e tij në Zvicër, ende pa i mbushur 22 vjet, pushimet i kalojnë në Bali dhe Spanjë dhe nuk mendojnë të kthehen as për vizitë. Me to komunikon gjermanisht. “Edhe një gjeneratë pas tyre ndoshta nuk do ta dijë më as ku është Kosova. Dhe kjo do të ndodhë gjatë 20 apo 30 viteve të ardhshme.”
Prandaj zgjedhja, thotë ai, është binare: kthehu, ose integrohu me sinqeritetin më të madh. “Sepse nuk ka qenë aspak e lehtë. Të quhesh Bashkim Zejnullahu dhe të konkurrosh me një Hans Müller e të konsiderohesh krejtësisht i barabartë — nuk ka qenë gjithmonë ashtu.”
Epilog
Zvicrën nuk e mohon: “Edhe shtetin zviceran e dua dhe e respektoj shumë. E falënderoj për mundësinë që na e ka dhënë në atë kohë kur ne nuk kishim pothuajse asnjë mundësi tjetër.” Por pyetjes nëse do të kthehej ndonjëherë atje, i përgjigjet pa pauzë: “Shiko, shumë sinqerisht — sot nuk e mendoj më kurrë kthimin në Zvicër.”
Dy fëmijët që dikur i përgjigjeshin gjermanisht sot janë brenda sistemit të kompanive familjare. Të dy janë shtetas zviceranë. Nëse do t’i pyeste sot a do të ktheheshin për të jetuar atje, thotë babai i tyre, përgjigjja do të ishte jo.
“Absolutisht jo.”
The post “Djali im filloi të më fliste gjermanisht. Atë ditë pyeta veten: a po ikim?” appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



