Dogana kap 113 telefona të kontrabanduar në një biznes, i dyshuari intervistohet

Dogana kap 113 telefona të kontrabanduar në një biznes, i dyshuari intervistohet

Dogana e Kosovës ka zbuluar 113 telefona mobilë të kontrabanduar pas një kontrolli në një biznes që që merret me tregtimin e telefonave mobilë.

Dogana tha se operacioni fillimisht është përqendruar në kontrollin e lokalit afarist, ndërsa më pas, bazuar në “informacionet operative”, kontrolli është zgjeruar edhe në një banesë në afërsi të biznesit, e cila shfrytëzohej për fshehjen dhe ruajtjen e telefonave mobilë të kontrabanduar.

“Gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë kanë zbuluar 113 telefona mobilë të kontrabanduar, të markave dhe modeleve të ndryshme, përfshirë Apple iPhone, Samsung Galaxy, Xiaomi, Redmi, POCO, Google Pixel, OnePlus dhe Huaëei”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Për të gjithë telefonat e zbuluar, personi përgjegjës nuk ka poseduar dokumentacion që dëshmon origjinën e ligjshme të mallrave, importimin e tyre përmes procedurave të rregullta doganore apo pagesën e detyrimeve përkatëse doganore, thotë ky institucion.

“Si rezultat i këtij operacioni, të gjithë telefonat mobilë janë ndaluar nga Dogana e Kosovës, ndërsa ndaj personit të dyshuar janë ndërmarrë veprimet procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi. Personi i dyshuar është intervistuar nga zyrtarët kompetentë dhe, me urdhër të prokurorit të rastit, është liruar për t’u proceduar në procedurë të rregullt”.

Dogana e Kosovës u zotua të mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe ekonomisë joformale, duke intensifikuar kontrollet e bazuara në informacione operative dhe analiza të rrezikut.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.