Donald Trump u bën thirrje gjeneralëve të luftojnë “armikun e brendshëm”
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, të martën iu drejtua gjeneralëve dhe admiralëve amerikanë, duke i ftuar të mobilizohen kundër “armikut të brendshëm”. Ai sulmoi emigrantët pa dokumente, median dhe kundërshtarët e tij politikë. Takimi u mbajt në bazën ushtarake të Quantico-s, me iniciativën e Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth. Një ton i paprecedentë Ndryshe nga […] The post Donald Trump u bën thirrje gjeneralëve të luftojnë “armikun e brendshëm” appeared first on Albinfo.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, të martën iu drejtua gjeneralëve dhe admiralëve amerikanë, duke i ftuar të mobilizohen kundër “armikut të brendshëm”. Ai sulmoi emigrantët pa dokumente, median dhe kundërshtarët e tij politikë.
Takimi u mbajt në bazën ushtarake të Quantico-s, me iniciativën e Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Një ton i paprecedentë
Ndryshe nga paraardhësit, të cilët në raport me ushtrinë ruanin një qëndrim më neutral dhe mbi palët, Trump, 79 vjeç, mbajti një ton të ashpër e politik. Ai kujtoi një deklaratë të mëhershme të tij: “Nëse ka dikë që nuk më pëlqen, e shkarkoj menjëherë.”
“Qytetet e demokratëve radikalë do t’i pastrojmë”
Trump i cilësoi qytetet e drejtuara nga demokratët si të rrezikshme:
“San Francisko, Çikago, Nju Jork, Los Anxhelos – këto janë vende të rrezikshme. Ne do t’i pastrojmë një nga një. Edhe kjo është një luftë. Një luftë nga brenda,” tha ai.
Vendimi i tij për të vendosur trupa në disa qytete, me arsyetimin e luftës kundër krimit dhe emigracionit të paligjshëm, u kritikua ashpër nga demokratët dhe organizatat për të drejtat civile.
Ai përmendi gjithashtu një urdhër ekzekutiv të nënshkruar prej tij për krijimin e një “forcë reagimi të shpejtë për të shtypur trazirat publike”, të përbërë nga ushtarakë: “Ky është armiku i brendshëm. Duhet të përballet para se situata të dalë jashtë kontrollit,” u shpreh Trump, ndërsa oficerët e lartë mbetën të heshtur.
Në vazhdim, miliarderi republikan sulmoi median, të cilën e quajti “të pamëshirshme dhe gënjeshtare”, si edhe paraardhësin e tij demokrat, Joe Biden.
Kritika edhe nga Pentagoni
Edhe Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, mbajti një fjalim të ashpër. Ai tha se ushtria duhet të kthejë shpinën “dekadave të rënies” që sipas tij u shkaktuan nga politikat e diversitetit: “Jemi bërë ministria e ‘woke’, por jo më. Do të rikthejmë standardet më të larta mashkullore.”
Hegseth kërkoi që ushtarakët të jenë të rruar, me flokë të shkurtër dhe në formë të mirë fizike: “Është e papranueshme të shohësh gjeneralë dhe admiralë mbipeshë,” deklaroi ai.
Ai theksoi se do të pastrojë “mbeturinat ideologjike” të lëna nga administrata e mëparshme, duke përfshirë politikat për ngrohjen globale, luftën kundër ngacmimeve, “udhëheqësit toksikë” dhe promovimet e bazuara në racë apo gjini.
The post Donald Trump u bën thirrje gjeneralëve të luftojnë “armikun e brendshëm” appeared first on Albinfo.