Kush është avokati që po mbron Grubin?

Kush është avokati që po mbron Grubin?

Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi është paraqitur sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, ku ka nisur procedura gjyqësore për rastin e njohur si “Lotaria Shtetërore”, çështje në të cilën ai figurar ndër tetë personat e akuzuar.

Megjithatë, ajo që ka tërhequr vëmendjen e mediave gjatë seancës së sotme ka qenë zgjedhja e mbrojtjes ligjore. Grubi është shfaqur në sallën e gjykatës i shoqëruar dhe i përfaqësuar nga avokati Goce Ristevski – i njëjti avokat që ka qenë pjesë e ekipit mbrojtës të ish-shefit të DSK-së, Sasho Mijallkov.

Seanca kryesore në procesin gjyqësor për rastin “Lotaria Shtetërore” është shtyrë me kërkesë të mbrojtjes.

Disa nga avokatët e të akuzuarve deklaruan para gjykatës se nuk e kanë pranuar aktakuzën, ndërsa nuk u janë vënë në dispozicion as provat e Prokurorisë për shqyrtim.

Gjyqtarja Biljana Shuplinovska-Jolevski sqaroi se materiali provues është voluminoz dhe përmban 231 prova materiale dhe shtatë prova verbale. Për shkak të vëllimit të madh, provat nuk janë dërguar përmes postës, por janë vendosur në kuti në gjykatë, ku mbrojtësit mund t’i marrin dhe t’i shqyrtojnë.

Në këtë rast janë të akuzuar Përpetim Bajrami, Artan Grubi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Mehmeti, Fatmir Ramafanovski, Aleksandar Dimitrovski dhe Bashkim Avdi. Ata akuzohen për keqpërdorime të lidhura me funksionimin e Lotarisë Shtetërore.

Sipas aktakuzës, veprimet për të cilat ngarkohen të akuzuarit i kanë shkaktuar Lotarisë Shtetërore dëm prej rreth 8,2 milionë eurosh.

Aktakuzën në gjykatë e përfaqësojnë prokurorët Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup./INA/


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.