Filipçe: LSDM është gati për zgjedhje që nesër, por nuk do të bëhemi alibi për Mickoskin

Kryetari i LSDM-së, dr. Venko Filipçe, deklaroi sot se partia është e gatshme për zgjedhje, pavarësisht se kur do të mbahen ato, por nuk do të shërbejë si alibi për zgjedhje të parakohshme të kryeministrit Hristijan Mickoski.
Sipas Filipçes, Mickoski po kërkon zgjedhje sepse pushteti nuk ka rezultate dhe vendi është në ngërç.
“Ne kemi thënë se nuk do të bëhemi alibi për zgjedhjet e parakohshme të kryeministrit Hristijan Mickoski. Është e qartë se i vetmi faktor që e shtyn të kërkojë zgjedhje është fakti se në buxhet nuk ka më para për tenderët e tij kriminalë”, tha Filipçe.
Ai akuzoi qeverinë se nuk ka arritur rezultate në asnjë fushë kyçe dhe se pasojat e keqqeverisjes po i ndiejnë drejtpërdrejt qytetarët dhe kompanitë.
“Nuk ka asnjë rezultat. Nuk ka rezultate në ekonomi, arsim, bujqësi apo sektorin social. Thjesht, gjithçka në shtet ka ngecur. Njerëzit nuk kanë para. Borxhet ndaj kompanive janë të mëdha. Afro 200 milionë euro janë borxhe për kthimin e TVSH-së”, theksoi Filipçe.
Kryetari i LSDM-së shtoi se kompanitë po përballen me probleme të likuiditetit, ndërsa janë shënuar pushime nga puna, rënie e investimeve të huaja dhe e prodhimit industrial.
“Po shohim rënien e investimeve të huaja, ka rënie të prodhimit industrial. Ky është një mënyrë tërësisht joprofesionale e drejtimit të shtetit dhe një mosinteresim i plotë për çdo gjë që është e mirë për shtetin dhe qytetarët”, tha Filipçe.
Ai theksoi se LSDM-ja është e gatshme për zgjedhje që nesër, si me ekipin, ashtu edhe me programin.
“Ne jemi gati për zgjedhje. Nëse mbahen nesër, ne jemi gati që nesër, me ekipin dhe programin, me Planin Master për Maqedoninë dhe Marrëveshjen me qytetarët, të cilën do ta prezantoj gjatë shtatorit. Për zgjedhje jemi gati kurdo që të mbahen. Por nuk do të bëhemi alibi. Hristijan Mickoski ka dy të tretat në Kuvend, ka pushtet absolut. Mund t’i shpallë zgjedhjet kur të dëshirojë. Pse i duhet tani LSDM-ja? Nuk do të hyjmë në këtë lojë. Ai do t’i shpallë zgjedhjet kur të mos ketë më para, ndërsa paratë po pakësohen gjithnjë e më shumë”, tha Filipçe.
Filipçe paralajmëroi se Plani Master do të përmbajë gjashtë pika të qarta për të ardhmen e vendit, forcimin e sistemit dhe mirëqenien e qytetarëve.
“Gjashtë pika të qarta dhe të mirëpërcaktuara, në mënyrë që qytetarët ta dinë për çfarë do të votojnë kurdo që të mbahen zgjedhjet e ardhshme”, shtoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe./INA/
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



