Forcat Ajrore Turke do të kenë për herë të parë një grua gjenerale

Forcat Ajrore Turke do të kenë për herë të parë një grua gjenerale

Turqia ka shënuar një moment historik në Forcat e saj të Armatosura, pasi për herë të parë që nga themelimi i Forcave Ajrore Turke, një grua është promovuar në gradën e gjeneralit.

Kolonelja Ozlem Karapinar është emëruar gjeneral brigade, pas vendimit të marrë në mbledhjen e Këshillit të Lartë Ushtarak të Turqisë, të kryesuar nga presidenti Recep Tayyip Erdogan. Gjatë mbledhjes, e cila zgjati rreth dy orë e 20 minuta, u miratuan promovime dhe pensionime në radhët e ushtrisë turke.

Me këtë promovim, Karapinar hyn në histori si gruaja e parë që arrin gradën e gjeneralit në Forcat Ajrore Turke, duke shënuar një hap të rëndësishëm për përfaqësimin e grave në strukturat më të larta ushtarake të vendit.

Ajo ka shërbyer për vite me radhë në Forcat Ajrore Turke, duke mbajtur një sërë detyrash me përgjegjësi. Edhe pse autoritetet turke nuk kanë bërë publike shumë detaje rreth karrierës së saj, Karapinar vlerësohet për kontributin dhe sukseset e saj në fushën e aviacionit ushtarak.

Në kuadër të vendimeve të Këshillit të Lartë Ushtarak, në pension është dërguar edhe komandanti i Forcave Ajrore Turke, gjenerali Ziya Cemal Kadıoğlu.

Pas marrjes së gradës së re, Ozlem Karapinar do të mbajë edhe titullin tradicional “pasha”, i cili në Forcat e Armatosura Turke përdoret si formë adresimi për gjeneralët dhe admiralët. Grada gjeneral brigade përfaqëson nivelin e parë në hierarkinë e gjeneralëve të ushtrisë turke.

The post Forcat Ajrore Turke do të kenë për herë të parë një grua gjenerale appeared first on InfoShqip.com.


Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.