Dy zëra të fuqishëm të Kosovës në Amerikë bëhen shtetas të Republikës, Kurti nderon çiftin DioGuardi

Dy zëra të fuqishëm të Kosovës në Amerikë bëhen shtetas të Republikës, Kurti nderon çiftin DioGuardi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në Zyrën e Kryeministrit Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, të cilët tashmë janë zyrtarisht shtetas të Republikës së Kosovës.

Kurti i ka cilësuar ata si “miq të vjetër të Kosovës”, duke vlerësuar kontributin e tyre shumëvjeçar në mbështetje të çështjes shqiptare dhe të Kosovës, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkrimi i plotë:

Dy shtetas të rinj të Republikës, por miq të vjetër të Kosovës.Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, përveçse Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tani zyrtarisht i përkasin edhe Republikës së Kosovës, sepse përherë e palëkundur qëndruan për kombin dhe me popullin shqiptar. Joe e Shirley gjithnjë interesohen për zhvillimet në Kosovë dhe japin ide e kontribut të çmuar.

Në takimin e përzemërt që zhvilluam sot në Zyrën e Kryeministrit, i falënderova për kontributin e tyre të pamatshëm për rreth katër dekada nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara te Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane. Sikurse edhe anëtarët e Bordit të Ligës, me të cilët zhvilluam një diskutim të këndshëm për angazhimin e tyre të vyer dhe përkushtimin e paepur për atdheun, si dhe për aktualitetet dhe të ardhmen.

Ish-kongresisti i parë amerikan me origjinë shqiptare, Joe DioGuardi, bashkë me plejadën e Tom Lantos, Bob Dole dhe Eliot Engel, ishin nga zërat e hershëm dhe të fuqishëm mbështetës në kohët kur populli ynë kishte më së shumti nevojë të dëgjohej në botë.

Kosova ishte me fat dhe e bekuar që pati ambasadorë të këtillë edhe kur s’kishte ambasadë të Republikës në ShBA, andaj jemi përherë mirënjohës si shtet dhe popull.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.