Gati lirimi i pengjeve/ Trump: Hamas po i grumbullon, gati dorëzimi te Izraeli
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Hamas po punon për grumbullimin e të gjithë pengjeve të gjalla që t’ia dorëzojë izraelit në orët në vijim, në kuadër të marrëveshjes historike të paqes që parashikon shkëmbimin me qindra të burgosur palestinezë. Ky do të jetë një ndër hapat e parë të zbatimit të armëpushimit në [...]Read More...

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Hamas po punon për grumbullimin e të gjithë pengjeve të gjalla që t’ia dorëzojë izraelit në orët në vijim, në kuadër të marrëveshjes historike të paqes që parashikon shkëmbimin me qindra të burgosur palestinezë. Ky do të jetë një ndër hapat e parë të zbatimit të armëpushimit në Rripin e Gazës pas dy viteve luftë të përgjakshme.
Sipas marrëveshjes, Hamas do të lirojë rreth 20 pengje izraelite deri të hënën, ndërsa Izraeli do të lirojë 250 të burgosur palestinezë që vuajnë dënime në burgjet izraelite, si dhe 1.700 persona të arrestuar në Gazë gjatë dy viteve të fundit pa u ngritur akuza ndaj tyre.
Trump deklaroi se disa nga pengjet “mbahen në kushte jashtëzakonisht të vështira”, duke shprehur optimizëm se shkëmbimi do të përfundojë “me siguri dhe dinjitet”.
Armëpushimi, i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, ka lejuar ushtrinë izraelite të nisë një tërheqje të pjesshme nga territori i Gazës. Komanda ushtarake izraelite njoftoi se ka pezulluar operacionet ushtarake për të lehtësuar procesin e shkëmbimit dhe kthimin e pengjeve.
Pentagoni konfirmoi disa orë më vonë se Izraeli ka përfunduar fazën e parë të tërheqjes, duke ruajtur megjithatë kontrollin mbi rreth 53% të territorit palestinez. Me fillimin e armëpushimit, dhjetëra mijëra palestinezë kanë filluar të kthehen në shtëpitë e tyre të shkatërruara në veri të Gazës – një zonë që është thuajse rrafshuar nga bombardimet izraelite. Sipas zëdhënësit të Mbrojtjes Civile të Gazës, Mahmud Basal, rreth 200 mijë banorë janë kthyer në banesat e tyre që prej së premtes. Ndërkohë, Bashkimi Evropian njoftoi se misioni i tij në pikën kufitare Rafah mes Gazës dhe Egjiptit do të rimisë punën më 14 tetor, me qëllim lehtësimin e kalimit të civilëve dhe furnizimit me ndihma humanitare.
Marrëveshja parashikon që procesi i shkëmbimit të zhvillohet pa ceremoni publike apo mbulim mediatik. Në të kaluarën, dorëzimet e pengjeve janë bërë nën mbikëqyrjen e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, i cili edhe këtë herë ka bërë thirrje që shkëmbimet të zhvillohen me respekt dhe siguri, duke shmangur skenat kaotike të rasteve të mëparshme kur Hamas kishte paraqitur publikisht pengjet. / abcnews.al /