Gazetari Buzhala: Vendimi i Përparim Ramës për banesat është i paligjshëm, skenar para zgjedhjeve
Gazetari Mentor Buzhala ka reaguar pas vendimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për t’u dhënë banesat komunale familjeve të dëshmorëve për shfrytëzim 99-vjeçar. “Ky vendim nuk kalon, jo pse nuk duhet, por sepse është i paligjshëm”, ka shkruar Buzhala në faqen e tij zyrtare në Facebook. Ai ka sqaruar se pronat komunale nuk mund […]

Gazetari Mentor Buzhala ka reaguar pas vendimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për t’u dhënë banesat komunale familjeve të dëshmorëve për shfrytëzim 99-vjeçar.
“Ky vendim nuk kalon, jo pse nuk duhet, por sepse është i paligjshëm”, ka shkruar Buzhala në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Ai ka sqaruar se pronat komunale nuk mund t’i japë në shfrytëzim as kryetari e as ekzekutivi i komunës, por vetëm Kuvendi Komunal.
Sipas tij, Rama është dashur të propozojë këtë vendim në Kuvend dhe jo ta paraqesë sikur ka marrë një vendim të plotfuqishëm, shkruan ORAinfo.
Buzhala ka theksuar edhe një arsye tjetër ligjore që e bën vendimin të pavlefshëm:
“Ligji për Vetëqeverisjen Lokale është i qartë se nga momenti kur Presidentja shpall zgjedhjet lokale, as Kuvendi e as ekzekutivi nuk mund të marrin vendime për dhënien apo këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës. Kjo për të shmangur keqpërdorimet zgjedhore me pronë publike”, ka shkruar Buzhala.
Sipas tij, Rama po e përdor këtë vendim për fushatë zgjedhore.
“E di shumë mirë që vendimi nuk kalon, dhe kur opozita ta rrëzojë, ai del me deklaratë dramatike ‘unë po du, po ata spo lon’”, ka shkruar Buzhala.
Gazetari ka kujtuar se ky problem nuk është i ri, pasi kontratat 10-vjeçare për këto banesa kishin skaduar vite më parë.
Ai ka kritikuar Ramën që ka pritur katër vjet për të ndërmarrë një veprim, ndërsa vendimi vjen vetëm tre muaj para zgjedhjeve lokale. /ORAinfo/