Gëzim Visoka, profesor me renome ndërkombëtare nga DCU dhe Oksford, tani në UP
Nga katedrat e Dublinit dhe Oksfordit në Universitetin e Prishtinës, Gëzim Visoka sjell përvojën globale në Kosovë The post Gëzim Visoka, profesor me renome ndërkombëtare nga DCU dhe Oksford, tani në UP appeared first on Albinfo.

Studiuesi i njohur me reputacion ndërkombëtar, prof. Gëzim Visoka, nga Dublin City University dhe bashkëpunëtor kërkimor në Universitetin e Oksfordit, i është bashkuar stafit akademik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në pozitën e profesorit të asociuar në Departamentin e Shkencës Politike të Fakultetit Filozofik, transmeton albinfo.ch.
Vendimi u miratua njëzëri nga Senati i Universitetit të Prishtinës, në mbledhjen e 20-të, të zhvilluar më 30 shtator 2025, me propozimin e rektorit prof. Arben Hajrullahu.
Ky transferim është bërë në bazë të Rregullores për transferim dhe programit “Brain Gain”, si dhe në përputhje me dispozitat për rastet e nevojës së jashtëzakonshme për rekrutimin e personelit akademik. Rasti i prof. Visokës shënon herën e parë që një profesor me përvojë dhe kalibër ndërkombëtar afiliohet me Universitetin e Prishtinës përmes kësaj rregulloreje.
Prof. Gëzim Visoka është profesor i asociuar i studimeve të paqes dhe konfliktit në Shkollën e Drejtësisë dhe Qeverisjes në Dublin City University (DCU), si dhe bashkëpunëtor kërkimor në Departamentin e Politikës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Universitetit të Oksfordit (UK).
Ai është autor dhe redaktor i 12 librave shkencorë, 30 punimeve akademike dhe 25 kapitujve në botime ndërkombëtare, të publikuara në disa nga revistat dhe shtëpitë botuese më prestigjioze në fushën e studimeve të politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Rrugëtimi akademik i profesor Visokës ka nisur pikërisht në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku përfundoi studimet themelore. Më pas, ai ka vijuar studimet pasuniversitare në Universitetin e Suseksit (UK) dhe ka përfunduar doktoratën në Dublin City University në fushën e politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Përveç veprimtarisë së tij të gjerë akademike, prof. Visoka ka mbi 20 vjet përvojë si këshilltar politiknë kontekste të shoqërive të pasluftës dhe në bashkëpunim me organizata të shoqërisë civile në nivel ndërkombëtar.
Ardhja e tij në Universitetin e Prishtinës vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të universitetit dhe forcimit të kapaciteteve kërkimore e akademike, në një kohë kur arsimi i lartë po përballet me transformime të mëdha teknologjike dhe shkencore. /Albinfo.ch
The post Gëzim Visoka, profesor me renome ndërkombëtare nga DCU dhe Oksford, tani në UP appeared first on Albinfo.