Pas gjashtë vjetësh shqiptarët bashkohen në një listë, liderët e Luginës synojnë rikthimin e deputetit të tretë

Vetëm dy ditë para zgjedhjeve parlamentare në Serbi, udhëheqësit politikë në Luginën e Preshevës, të përbashkuar në listën e vetme, kanë ftuar qytetarët që t`i përgjigjen votimit për zgjedhjet parlamentare.
“Shtruarja edhe më tejshme e kërkesave tona, që janë një vazhdimësi e kërkesave që nga 2001, 2009, 2013, 2022, në raport me qeverinë e re, në raport me ndërkombëtarët dhe sidomos në proces të lobimit për të drejtat e shqiptarëve, janë ato fusha të cilat do të orientohemi dhe do të organizohemi të punojmë si deputetë të nesërm, pra, në parlament”, ka thënë Shapi Kamberi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik.
“Këtë herë më në fund jemi bërë bashkë pas 6 viteve, edhe unë me padyshim… me shumë bindje besoj dhe shpresoj se këtë herë mund të arrijmë prapë të tretin në parlamentin e Republikës së Serbisë”, ka thënë Visar Mehmeti, kryetar i Alternativës për Ndryshim.
“Shqiptarët kërkojnë të drejtat e veta në këtë pjesë dhe orientimi politik është që bashkë me Kosovën, Shqipërinë dhe faktorin kombëtar që të përcjellin një mesazh për shqiptarët e Luginës së Preshevës që më 25 dhjetor të dalin populli shqiptar masovikisht në këtë pjesë, të votojnë për Koalicionin Shqiptar me numër 17”, ka thënë Shqiprim Musliu, kryetar i Lëvizjes së Progresit Demokratik .
Edhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, thotë se me përbashkimin e listës së partive politike, pritet që të rritet numri i deputetëve shqiptarë në Serbi, si një mundësi që problemet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të kenë mundësi shumë më të madhe sensibilizimi, dhe atë jo vetëm në parlamentin e Serbisë.
Ndërkohë edhe Këshilli Kombëtar Shqiptar ka apeluar te qytetarët që të dalin në mënyrë masovike në zgjedhje./RTK
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



