Gjenevë: Ndalimi i simboleve fetare në parlamente përballet me ankesa

Ndryshimi kushtetues i miratuar ngushtë nga votuesit e Gjenevës ndalon deputetët në parlamentet kantonale dhe komunale të mbajnë simbole të dukshme fetare, përfshirë shaminë e kokës, kipën dhe kryqin.
Ndalimi i simboleve fetare në parlamentet e Gjenevës ka shkaktuar reagime të forta dhe tashmë është kundërshtuar përmes katër ankesave ligjore.
Masa u miratua në qershor me një diferencë të ngushtë votash. Ajo u mbështet nga partitë e djathta SVP dhe FDP, Partia e Qendrës, si dhe Mouvement Citoyen Genevois.
Nisma fillimisht synonte ndalimin e shamisë së kokës në parlamentin kantonal. Në Gjenevë, prej vitit 2019, rregulla të neutralitetit fetar zbatohen edhe për punonjësit e administratës, mësuesit dhe drejtuesit e institucioneve publike.
Kundërshtarët e masës, kryesisht nga e majta, argumentojnë se ndalimi cenon të drejtat themelore dhe nuk respekton diversitetin e shoqërisë. Ndër ankuesit janë dy qytetarë, një mysliman dhe një i krishterë, ndërsa kundër tij kanë dalë edhe deputetë të të Gjelbërve dhe përfaqësues të komuniteteve të krishtera.
Debati për masën është shoqëruar edhe me protesta simbolike. Vitin e kaluar, deputetja e FDP-së, Céline Zuber-Roy, u shfaq në parlament me një kullesë kuzhine në kokë, në shenjë ironie ndaj debatit mbi ndalimin e simboleve të dukshme.
Gjeneva është kantoni i vetëm zviceran që ndalon mbajtjen e simboleve fetare në institucionet shtetërore. Tashmë, vendimi për kushtetutshmërinë e ndalimit pritet të merret nga institucionet e drejtësisë.
The post Gjenevë: Ndalimi i simboleve fetare në parlamente përballet me ankesa appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



