Gjermania synon t’i japë fund lëndëve djegëse fosile deri në vitin 2045, ndërsa Zvicra ende pa plan konkret

Gjermania synon t’i japë fund lëndëve djegëse fosile deri në vitin 2045, ndërsa Zvicra ende pa plan konkret

Gjermania synon t’i japë fund varësisë nga nafta, qymyri dhe gazi deri në vitin 2045, ndërsa Zvicra ende nuk ka një plan të qartë kombëtar për eliminimin gradual të lëndëve djegëse fosile.

Sipas një raportimi të SWI swissinfo.ch, Gjermania synon ta përshpejtojë kalimin drejt energjisë së pastër përmes elektrifikimit të transportit, ngrohjes dhe industrisë, si dhe rritjes së përdorimit të burimeve të rinovueshme. Edhe Franca dhe Holanda kanë ndërmarrë hapa për të përcaktuar afate për largimin nga lëndët djegëse fosile.

Zvicra, nga ana tjetër, synon të arrijë emetimet neto zero deri në vitin 2050, por ende nuk ka përcaktuar një afat të veçantë për braktisjen e naftës, qymyrit dhe gazit.

Të Gjelbrit në Zvicër kërkojnë hartimin e një plani kombëtar të qartë dhe detyrues, duke argumentuar se vendi shpenzon çdo vit më shumë se tetë miliardë franga zvicerane për importimin e burimeve energjetike që dëmtojnë klimën dhe rrisin varësinë nga jashtë.

Sipas të dhënave të vitit 2024, rreth 58% e konsumit përfundimtar të energjisë në Zvicër vinte nga produktet e naftës dhe gazi natyror.

Ekspertët vlerësojnë se një plan i tillë do të ndihmonte në përshpejtimin e tranzicionit energjetik, përmes elektrifikimit të transportit, zëvendësimit të sistemeve të ngrohjes me lëndë djegëse fosile dhe forcimit të transportit publik. Megjithatë, përfaqësuesit e industrisë së naftës paralajmërojnë për kostot ekonomike dhe mungesën e alternativave të përshtatshme në disa sektorë, veçanërisht në industri dhe aviacion.

Autoritetet zvicerane bëjnë të ditur se po shqyrtojnë mundësinë e hartimit të një plani kombëtar për largimin nga lëndët djegëse fosile.

Ndërsa vendet evropiane po përshpejtojnë tranzicionin energjetik, Zvicra përballet me dilemën se si t’i përmbushë objektivat klimatike pa shkaktuar kosto të larta për ekonominë dhe qytetarët/albinfo.ch/

 

The post Gjermania synon t’i japë fund lëndëve djegëse fosile deri në vitin 2045, ndërsa Zvicra ende pa plan konkret appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.