Gjini: Kjo që ndodhi sot në Kuvend është maskaradë, synohet 27 dhjetori për zgjedhje

Gjini: Kjo që ndodhi sot në Kuvend është maskaradë, synohet 27 dhjetori për zgjedhje

Maskaradë e ka quajtur kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, shtyrjen e seancës konstituive të Kuvendit për të premten. Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje, përmes zvarritjes së konstituimit të legjislativit, po tenton që të mbajë zgjedhjet e reja më 27 dhjetor.

Kuvendi i Kosovës nuk u konstituua më 9 shtator, pasi kishte mospajtime për mënyrën dhe formën e zgjedhjes së nënkryetarëve. Në LVV thanë se s’kanë vota për propozimet e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë.

“A ju kemi thënë që nuk kanë me konstitu Kuvendin sot. Kush e din për të sa herë, me koordinim apo pa koordinim, Lista Serbe i ndihmon që Albin Kurti me zhvillu agjendën e vet ashtu qysh i konvenon. Kjo çka ka ndodhë është një maskaradë për me shty kohë apo me ble kohë. Është qëllimi i pastër për me ble kohë, për me zvarrit krijimin e institucioneve të Kosovës. Po besoj sot që të gjithë qytetarët e Kosovës e kuptojnë drejt pse Aleanca nuk ka pranu me u bë pjesë e kësaj maskarade. Siç i kam ftuar më herët, i ftoj edhe tash partitë e ish-opozitës me refuzu me u bë pjesë e kësaj maskarade…Duan të mbërrijnë së paku datën 13 shtator, në mënyrë që të kalkulohet edhe 60-ditëshi i afatit për zgjedhjen e presidentit dhe 45 deri në shkuarje në zgjedhje, që me mbërrijë datën 27 dhjetor”, tha Gjini në konferencë për media të mërkurën.

Ai tha se do t’i referohen Gjykatës Kushtetuese për moskonstituimin e Kuvendit brenda afateve kushtetuese.

“Nuk kemi rrugë tjetër përveç me iu referuar Gjykatës Kushtetuese. Do të synojmë koordinim me dy partitë të tjera dhe po absolutisht duhet referu Kushtetutës. Të përgatitet lënda sa më mirë dhe të gjendet momenti kur të dërgohet kjo lëndë në Kushtetuese”, tha ai.

Krahas kësaj, ai tha se nuk do të marrin pjesë të premten, kur u vendos të vazhdojë seanca konstituive.

“Në seancën e së premtes nuk do të marrim pjesë. Për pak fola si Dehari. Nuk mund të marrim pjesë sepse është e jashtëligjshme, jashtëkushtetuese dhe është farsë. Nuk ka për qëllim me themelu institucionet”, përfundoi ai.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka ndërprerë seancën konstituive pas mospajtimeve mes subjekteve politike lidhur me votimin e nënkryetarëve të Kuvendit.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.