Gjokoviq dënohet me 10 vjet burg për krime lufte në Kosovë

Gjokoviq dënohet me 10 vjet burg për krime lufte në Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Millorad Gjokoviqin për krime lufte kundër popullsisë civile dhe e ka dënuar me 10 vjet burgim.

Aktgjykimin e ka shpallur kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Donika Shala-Abdyli, e cila bëri të ditur se në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

“Gjykata shpall këtë aktgjykim: Në emër të popullit, i akuzuari Millorad Gjokoviq shpallet fajtor, sepse në periudhën e luftës në Kosovë, më 7 maj 1999, në fshatin Ozdrim, Komuna e Pejës, i akuzuari, në cilësinë e policit rezervë, me persona të tjerë, i ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare. Gjykata, në bazë të dispozitave të Ligjit Penal të ish-Jugosllavisë, të akuzuarin e dënon me 10 vjet burgim, ku do t’i llogaritet edhe koha e paraburgimit”, tha Shala-Abdyli.

Rasti ishte rihapur për shqyrtim gjyqësor më 27 korrik të këtij viti, pasi në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë nuk ishte gjetur deklarata e dëshmitares Nurije Krasniqi, për të cilën ajo kishte thënë se e kishte dhënë në polici pas përfundimit të luftës.

Në atë kohë, kryetarja e trupit gjykues kishte deklaruar se gjykata vlerësonte se ende nuk ishin shteruar të gjitha mundësitë për sigurimin e kësaj prove. Gjatë dëshmisë së saj, Krasniqi kishte treguar se pas luftës kishte dhënë deklaratë në polici lidhur me rastin, por nuk kishte mundur ta kujtonte datën e saktë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të ngritur më 23 qershor 2023, Gjokoviq akuzohej se gjatë viteve 1998–1999, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, kishte kryer veprime kundër popullsisë civile shqiptare në fshatin Ozdrim të Pejës dhe në fshatrat përreth. Aktakuza përfshinte akuza për vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, torturë, trajtim mizor dhe çnjerëzor, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim dhe deportim të dhjetëra civilëve, si dhe plaçkitje, djegie e shkatërrim të shtëpive të shqiptarëve.

Sipas Prokurorisë, forcat e rregullta ushtarake serbe kishin hyrë në pjesën veriore të fshatit Ozdrim, përmes rrugës rajonale Pejë–Mitrovicë, ndërsa nga pjesa perëndimore, në kufi me Vitomiricën, kishin hyrë grupe paramilitare, ku kishte edhe pjesëtarë të njësive speciale ushtarake. Në aktakuzë thuhet se këto forca kishin filluar të qëllonin me armë në drejtim të popullsisë civile, duke vrarë gjashtë civilë shqiptarë: I.K., Sh.K., E.M., R.Sh., Z.Sh. dhe M.H.

Prokuroria kishte pretenduar gjithashtu se tre civilë të tjerë, A.G., H.G. dhe M.G., të plagosur nga të shtënat, fillimisht ishin dërguar në Spitalin e Pejës, por më pas ishin ekzekutuar dhe varrosur në fshatin Lutogllavë.

Po ashtu, sipas aktakuzës, pesë civilë shqiptarë, R.K., Z.K., A.K., A.K. dhe A.Sh., ishin vrarë gjatë ofensivës, por trupat e tyre nuk ishin gjetur dhe ata vazhdonin të figuronin si persona të zhdukur.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.