Gjuha angleze para shqipes, fëmijët në RMV kanë problem të shprehen në gjuhën amtare

Në shumë qytete të Maqedonisë Veriore por edhe në Gostivar fëmijët janë të aftë të flasin gjuhë të ndryshme, ku ndodhë që fëmijët parashkollorë të mësojnë njëkohësisht gjuhën amtare bashkë me atë angleze. Prindërit dhe edukatoret tregojnë se kanë hasur raste ku fëmijët flasin gjuhë angleze mes veti. Për këtë Portalb.mk vizitoi  disa çerdhe në […]

Gjuha angleze para shqipes, fëmijët në RMV kanë problem të shprehen në gjuhën amtare

Në shumë qytete të Maqedonisë Veriore por edhe në Gostivar fëmijët janë të aftë të flasin gjuhë të ndryshme, ku ndodhë që fëmijët parashkollorë të mësojnë njëkohësisht gjuhën amtare bashkë me atë angleze. Prindërit dhe edukatoret tregojnë se kanë hasur raste ku fëmijët flasin gjuhë angleze mes veti. Për këtë Portalb.mk vizitoi  disa çerdhe në Gostivar për të parë nga afër këtë fenomen.

Mami kam një ”Idea”, fjala që habiti nënën djali i saj

Një nënë e dy fëmijëve për Portalb.mk tregoi se djemtë e saj flasin në gjuhën shqipe por ka ndodhur që të përdorin ndonjë fjalë në gjuhën angleze.

“Një herë dëgjova të më thotë mami kam “një idea” që unë u habita kur e pyeta se çka do të thotë ajo, ai nuk dinte të ma tregonte në gjuhën amtare, pastaj djali i madh tha “o mami kur të kujtohet diçka e re” do të thotë vëllai”, rrëfeu nëna.

Ajo sqaroi se nuk i pengon që fëmija i saj din të flasë gjuhën angleze, pasi siç thotë ajo “gjuha është pasuri por për momentin i jap më shumë rëndësi ta mësojë gjuhën amtare”.

Portalb.mk vizitoi dy çerdhe në qytetin e Gostivarit ku biseduam me specialist dhe prindër për përdorimin e gjuhës angleze nga fëmijët parashkollorë.

Emrat e kafshëve, ngjyrave dhe stinët e vitit janë emra më të njohur te fëmijët në anglisht

Pedagogja Sara Neziri e cila është në kontakt të drejtpërdrejtë me fëmijët thekson se shpesh has që kur fëmijët kanë nevojë për diçka, atë në fillim e shprehin në gjuhë angleze.

“Kur unë pyes për diçka qofshin ngjyra, kafshët apo diçka tjetër pa marrë parasysh jep përgjigje në gjuhën angleze. Çdo herë më duhet të ja përsëris pyetjet e të ja përkujtoj që të përgjigjet në gjuhën shqipe. Edhe mund të them se në gjuhën angleze i di t’i emëroj sendet shumë mirë si kafshët ngjyrat stinët por në gjuhën shqipe ka ngecje”, thekson Neziri.

Ajo thotë se disa nga prindërit e fëmijëve shprehen krenarë që fëmijët e tyre dinë anglisht.

Nga ana tjetër, Egzona Beqiri pedagoge në çerdhe publike dhe nënë e dy fëmijëve tregon se edhe pse fëmijët e saj përdorin telefonin me orar të caktuar, përsëri ajo e mban në kontroll situatën dhe se fëmijët e saj dinë fjalë në anglisht por jo ta flasin gjuhën angleze.

“Kur luan me lodrat nuk e kam dëgjuar se flet anglisht, i interesojnë gjuhët e huaja por jo që e flet”, u shpreh Beqiri.

Kurse për fëmijët parashkollorë në çerdhe ajo theksoi se me leje të prindërve një herë në javë nga 25 minuta mbajnë orë mësimore në gjuhën angleze.

“Kemi aktivitete të ndryshme gjithmonë e flasim gjuhën amtare, përveçse 25 minuta me leje të prindërve. Me komunikim të vazhdueshëm prindër fëmijë dhe aktivitete të ndryshme do të ishte më lehtë të flasin gjuhën amtare fëmijët e çdo prindi. Prindërit duhet fëmijëve të tyre tua largojnë telefonin që deri në moshën dy vjeçare mos ua japin telefonat në dorë”, tha Beqiri.

Gjuha angleze flitet më së shumti gjatë lojërave grupore

Edukatorja e fëmijëve parashkollorë Donjeta Dauti theksoi se shumica e prindërve fëmijëve i dërgojnë në çerdhe për adaptim në shoqëri.

“Prindërit realisht janë të vetëdijshëm kur na sjellin fëmijët në çerdhe për gjuhën angleze edhe na paralajmërojnë ose na njoftojnë se fëmija ka fjalë që përdor gjuhë angleze, ose ka vëlla ose motër më të madhe dhe komunikojnë gjuhë angleze, prindërit që dëshirojnë fëmija e tyre ta flet më shumë shumë gjuhën amtare atëherë paraprakisht na njoftojnë kurse ne më pas i njoftojmë prindërit me progresin që e ka fëmija gjatë qëndrimit në çerdhe”, tha Donjeta Dauti.

Ajo tregoi madje se ka pasur rast kur fëmijët kanë komunikuar në gjuhën angleze, ku pas një kohe ata filluan të komunikojnë në shqip.

“Tash të gjithë flasin shqip edhe kur duan të shprehin ndonjë kërkesë apo emocion. Edhe gjatë aktiviteteve mësimore kur pyesim nëse ka qenë ndonjë kafshë që fëmijët kanë ditur ta komunikojnë dhe se kanë pasur problem janë përgjigjur në gjuhën shqipe, por në disa raste ndonjë kafshë nuk ekziston nuk është e njohur në vendin tone ose ndonjë frut atëherë fëmijët menjëherë përgjigjen në gjuhën angleze për shkak se edhe emrin ja dinë në gjuhën angleze vetëm”, u shpreh Dauti.

Ajnure Selmani, asistente arsimore në shkollën fillore “ Mustafa Kemal Ataturk” si dhe psikologe shprehet se ka fëmijë të cilët flasin gjuhën angleze dhe ka prind që për këtë arsye edhe i sjellin fëmijët në çerdhe ku në shumicën e rasteve fëmijët në çerdhe sillen për t’u socializuar dhe kohën që e kalojnë aty ta kalojnë në mënyrë sa më produktive.

“Ndodhë që kemi hasur që fëmijët të flasin edhe gjuhë angleze por edhe gjuhë tjetër të huaj. Ndonjëherë kanë folur në mes vetë ndonjëherë edhe me shoqërinë por ka ndodhur që kur ka pasur ndonjë kërkesë ta bëjë fëmija në rast se nuk ju kujtohet në gjuhën shqipe, e ka kërkuar në gjuhën angleze sepse i ka ardhur më mirë për ta komunikuar”, tha Selmani.

Fëmijët në çerdhe të Gostivarit duke kryer aktivitet. Foto, Portalb.mk

Ajo theksoi se përdorimi i gjuhës angleze më shumë del në pah nëse ka dy ose tre fëmijë që dinë mirë të komunikojnë në gjuhën angleze dhe bëhen bashkë dhe menjëherë fillojnë të flasin atë gjuhë sepse u vjen më lehtë të shprehen në mes veti.

Ajo vë në pah se shumica e lodrave edukative për fëmijë janë në gjuhë të huaj e si zakonisht në gjuhën angleze, pasi që në vend nuk shiten mjaftueshëm lojërat edukative në gjuhën shqipe. Për këtë arsye, ajo thekson se shumë prindër por edhe pronar të çerdheve më shumë shkojnë në Shqipëri dhe Kosovë që të furnizohen.

“Lodrat edukative që janë edhe mjete pune për neve nëpër gjithësi te vendi jonë është shumë vështirë t’i gjejmë në gjuhën shqipe, veç asaj që janë të vështira por edhe të kushtueshme. Jo vetëm në Gostivar që nuk ka aspak realisht edhe puzzlet që gjenden nëpër librari shumica janë në gjuhën angleze një pjesë dërmuese janë në gjuhën angleze. Në Tetovë ka disa librari që shesin lojëra edukative dhe vetëm në Shkup mund të gjejmë në gjuhën shqipe ndryshe vështir mund t’i gjesh lojërat edukative”, tha Selmani.

Telefoni sjell jo vetëm ngecje në gjuhë por edhe pasoja të tjera

Edukatorja Selmani sqaron se qëndrimi i tepërt në telefon shkakton dëme e pengesa në zhvillimin e fëmijës, ndër këto është edhe gjuha e tyre. Sipas saj, me të qëndruarit e tepërt në telefon fëmijët shikojnë filma vizatimor në gjuhën angleze, qëndrojnë në TikTok dhe rrjetet tjera sociale, qëndrojnë në Youtube në pjesën Reels që po ashtu ka shumë pamje nga gjuha angleze. Në këtë mënyrë fëmijët arrijnë që të mësojnë gjuhën angleze por ngelin pas me zhvillimin e gjuhës shqipe.

“Përveç asaj që kemi dëmtime në komunikim apo në zhvillim të gjuhës në të shprehurit në gjuhën amtare pasoja të tjera mund jenë edhe probleme në sjelle te fëmija, mund të ndikoj në mbi peshë, shkakton varësi ,ndalon procesin e të mësuarit tek fëmija gjithashtu telefoni ka një ndikim negativ në shëndetin mendorë të fëmijës. Qëndrimi i tepërt në telefon nuk shkakton autizëm klasik mirë por njihet si autizmi virtual qëndrimi apo ekspozimi i gjatë i fëmijëve ndaj telefonit shkakton autizmin virtual i cili është shumë vështir të bëhet diferencimi mes i autizmit virtual dhe autizmit klasik”, theksoi Selamani.

Prindërit mund t’i ndihmojnë fëmijët e tyre 

Selmani thekson se është mirë që prindërit t’i dërgojnë fëmijët e tyre nëpër çerdhe, megjithatë nëse nuk kanë mundësi ajo tregon se ata mund të bëjnë aktivitete të shumta me fëmijën e vet.

“Tani prindërit shumë lehtë mund të gjejnë shumë aktivitete në faqet e rrjeteve sociale që publikojnë për çdo aktivitet edhe moshën adekuate të cilën mund ta realizoj aktivitetin me fëmijën hap pas hapi. Në këto faqe tregohet edhe qëllimi pse realizohet loja gjithashtu prindërit mund të gjejnë edhe manuale të ndryshe në internet për lojëra të cilët prindërit mund t’i zhvillojnë vet në shtëpi me kushtet e shtëpisë”, sugjeroi Selmani.

Ajo theksoi se kanë pasur raste kur familje që jetojnë në mërgim kanë sjellë fëmijën për ta përvetësuar gjuhën amtare.

“Po ashtu kemi pasur edhe disa raste me fëmije që jetojnë në Gostivar, të cilët i kanë sjellë edhe kemi nja dy ose tre raste që marrin shërbim në këtë drejtim fëmijët që kanë përzierje të të dy gjuhëve atë të gjuhës amtare dhe angleze edhe të shprehurit nuk është në nivel. Nuk kuptohen në shkollë, familje, në shoqëri dhe për të shkak prindërit kanë sjell fëmijën që ta përvetësojnë gjuhën shqipe edhe kërkesa e tyre që i kanë sjell këtu është sa më shumë të përvetësohet gjuha amtare. Kemi fëmijë edhe parashkollor por edhe që janë në klasë të pare të dytë që kanë probleme në të shprehurit në gjuhë shqipe”, u shpreh ajo.

Të folurit në gjuhën angleze apo shprehje të ndryshme në këtë gjuhë janë të përhapura edhe te adoleshentët dhe të rinjtë.

LEXO: Shenjat që tregojnë problemet më serioze tek adoleshentët