RMV, ekzistojnë rregulla për drejtimin e trotinetëve, ka qytetarë që nuk i dinë, por ka edhe që i dinë e nuk i zbatojnë

Trotinetët elektrikë “hynë” në ligj, por zbatimi i tij po shkon me vështirësi, tregojnë kështu statistikat e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ato janë ekologjikë, por të sigurt vetëm nëse respektohen rregullat, thonë nga Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor. Nuk ka të dhëna për numrin e trotinetëve, shkruan REL, transmeton Portalb.mk. Inspektorë dhe […]

RMV, ekzistojnë rregulla për drejtimin e trotinetëve, ka qytetarë që nuk i dinë, por ka edhe që i dinë e nuk i zbatojnë

Trotinetët elektrikë “hynë” në ligj, por zbatimi i tij po shkon me vështirësi, tregojnë kështu statistikat e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ato janë ekologjikë, por të sigurt vetëm nëse respektohen rregullat, thonë nga Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor. Nuk ka të dhëna për numrin e trotinetëve, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

Inspektorë dhe roje për trotinetët elektrikë, diplomatë që avokojnë për “diplomaci të gjelbër” dhe të cilëve Ministria e Punëve të Jashtme u ndau trotinetë elektrikë, pastaj plot të rinj që “fluturojnë” me dy rrota… Në komuna ndahen edhe subvencione për rritjen e numrit të mjeteve ekologjike të transportit, ndërkohë që ka edhe oferta nga kompanitë që merren me tregtimin e trotineteve elektrikë që thonë se këto mjete transporti janë “një hit në qytetin tonë”. E në rrugët nëpër qytet numri i qytetarëve që si mjet transporti i përdorin trotinetet elektrikë është gjithnjë e më i madh.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut në fillim të vitit 2020 për herë të parë trotinetët elektrikë i futi në Ligjin për Siguri në Komunikacionin Rrugor dhe i ka përcaktuar rregullat, mënyrën e drejtimit të tyre dhe dënimet për shoferët e pakujdesshëm.

Disa nga qytetarët me të cilët kontaktoi Radio Evropa e Lirë as që e dinë se ekzistojnë rregulla, ndërsa disa të tjerë i dinë dhe i respektojnë ato.

“Trotinetin e kam blerë para dy vite e gjysmë dhe po aq kohë kam që e përdor, sepse është një nga mënyrat më të shpejta dhe më të lehta për të shkuar në punë. Por kjo është hera e parë që dëgjoj që është miratuar një ligj që rregullon drejtimin e një trotineti elektrik. Deri më tani nuk më ka ndaluar dhe nuk më ka dënuar ndonjë polic”, thotë një banor i Shkupit.

“Kam pesë apo gjashtë vjet që e përdor trotinetin. Unë i di rregullat për kufizimin e shpejtësisë, por sa i përket atyre për drejtimin e trotinetit vetëm nëpër shtigje të caktuara nuk u bindem. Varësisht se në cilat pjesë të qytetit lëviz, shkel edhe rregullin për drejtimin e trotinetit në një shteg biçikletash, sepse nuk ka kudo zbritje për të dalë nga trotuari dhe më ka ndodhur të më plasë goma disa herë nga përplasja në rrugë dhe më është liruar timoni”, thotë një banor tjetër i Shkupit.

Ligji për Siguri në Komunikacion Rrugor e rregullon drejtimin e trotinetëve elektrikë. Sipas tij, nëse ekziston një e tillë, ata duhet të lëvizin nëpër një shteg për biçikleta me shpejtësi maksimale prej 25 km/h, ndërsa në një shteg për këmbësorë apo trotuar me shpejtësi maksimale 6 km/h. Nëse në ndonjë vendkalim nuk ka rrugë të shënuar me të kuqe, ata duhet të zbresin nga trotineti. Gjobat për mosrespektim të këtyre rregullave sillen nga 80 deri në 120 euro.

“Trotineti elektrik mund të përdoret nga një person që ka mbushur moshën 14 vjet. Drejtuesi i një trotineti elektrik nuk duhet të transportojë persona të tjerë gjatë drejtimit të mjetit. Drejtuesi i një trotineti elektrik nuk duhet të ketë kafshë me vete gjatë kohës që e drejton mjetin”, thuhet në ligj.

Gjobat për shkeljen e këtyre rregullave janë 50 euro. Përndryshe, ligjvënësi ka theksuar se gjatë drejtimit të një trotineti elektrik është mirë të mbahet një helmetë dhe gjatë natës është e detyrueshme ​​të vishet jelek reflektues, sepse në të kundërtën do të gjobiteni me 50 euro.

Rrallë herë shqiptohen dënime, më shumë bëhen thirrje

Statistikat për drejtuesit e gjobitur të trotinetëve elektrikë nuk janë në favor të sigurisë në komunikacionin rrugor. Edhe përkundër faktit se qytetarët, sidomos ata të Shkupit, gjithnjë e më shumë janë dëshmitarë  të kaosit që krijohet nga trotinetët elektrikë, Ministria e Punëve të Brendshme ka regjistruar numër të vogël të shkeljeve.

“Sa i përket shkeljeve të kryera nga drejtuesit e trotinetëve elektrikë, në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në vitin 2022 janë sanksionuar gjithsej 66 drejtues të tyre, ndërsa në vitin 2021 janë sanksionuar gjithsej 29 drejtues të trotinetëve elektrikë. Ne e inkurajojmë përdorimin e biçikletave dhe trotinetëve elektrikë, të cilët si kategori automjetesh nuk kontribuojnë në ndotjen e ajrit dhe ndikojnë në reduktimin e bllokimit të komunikacionit, por theksojmë se ato mjete transporti duhet të drejtohen edhe me përgjegjësi, duke respektuar rregullat dhe rregulloret e përcaktuara për komunikacion të sigurt për të gjithë ne”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Në Shkup nga viti i kaluar ka filluar të funksionojë edhe marrja me qira e trotinetëve elektrikë nga operatorët që merren me këtë aktivitet. Më së shumti bien në sy ato të kompanisë turke “Bin Bin”, të cilët mund të shihen të lënë kudo nëpër sipërfaqet publike.

Gjatë lëshimit në përdorim nga kompania njoftuan se kishin blerë 500 trotinetë elektrikë, dhe se kishin caktuar 16 punkte. Por ata që i drejtojnë nuk janë të detyruar t’i lënë në këto punkte, kështu që i parkojnë në mes të trotuareve, në zona me bar, në parkingje.

Nga Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor bëjnë me dije se dy herë në vit, në pranverë dhe në vjeshtë, bëjnë fushata dhe që i kanë filluar me vetë shfaqjen e trotinetëve elektrikë si mjet transporti. Ata apelojnë që gjatë drejtimit të trotineteve elektrikë të bëhet kujdes.

“Ndryshe nga mjetet e tjera të transportit për të cilat ka rregullore të përbashkëta evropiane, ende nuk ka asnjë për përdorimin e trotineteve elektrikë,  megjithatë në ligjin tonë rregullat janë të vendosura, por fatkeqësisht ato nuk respektohen. Jemi dëshmitarë se shkojnë në drejtim të kundërt, kalojnë në vendkalime që nuk janë të shënuara dhe në mënyrë që nuk lejohet dhe aty ku nuk ka vendkalim të shënuar nuk zbresin nga trotineti elektrik”, thotë Dejan Andonoviq nga KRSKRR.

Sa është numri i saktë i trotinetëve elektrikë që përdoren në vendin tonë? Ato nuk regjistrohen askund dhe nuk kanë as detyrim për kontroll teknik, pavarësisht se disa vende kjo gjë tashmë ka filluar të zbatohet.

Por po rritet edhe numri i personave të lënduar në aksidente me trotinete elektrikë. Siç përcolli portali “Sakam da kazham”, vetëm në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” në Shkup që nga fillimi i vitit në Repartin e Ortopedisë për 4 muaj janë trajtuar 23 pacientë me fraktura si pasojë e aksidenteve me trotinete elektrikë. Në të shumtën e rasteve bëhet fjalë për lëndime të gjymtyrëve të sipërme, ndërsa ka edhe pacientë të cilët janë pranuar me fraktura, të cilët janë këmbësorë që kanë pësuar goditje nga drejtimi i papërgjegjshëm i trotineteve elektrikë në trotuar apo në ndonjë stacion autobusi.

Evropa me kufizime për trotinetët elektrikë

Lufta për përdorimin e mjeteve ekologjike të transportit dhe për sigurinë në komunikacionin rrugor po bëhet gjithnjë e më e zëshme në Evropë. Më të zëshmit ishin qytetarët e Parisit, të cilët në një referendum vendosën se ishin kundër operatorëve ekonomikë që jepnin me qira trotinetët elektrikë.

Në referendumin që u mbajt vitin e kaluar në prill, parisienët u deklaruan kundër trotineteve elektrikë, sepse përdoruesit e tyre lëvizin me shpejtësi mes këmbësorëve, i lënë ato ku të duan dhe shkaktojnë aksidente. Me këtë u hoqën nga qarkullimi trotinetët elektrikë që jepeshin me qira për më shumë se pesë vjet.

Parisi u bë kryeqyteti i parë në Evropë që ndaloi marrjen me qira të tyre, ndërsa nga rrugët e Parisit u larguan15.000 trotinetë elektrikë. Ata përfunduan në Londër, Kopenhagë dhe në disa qytete belge dhe gjermane.

Por pas kësaj, edhe në disa qytete gjermane u kërkua kufizimi i drejtimit të trotineteve elektrikë, Barcelona nga viti 2016 ndaloi pjesërisht përdorimin e tyre në pjesët historike të qytetit.

Në Londër përdorimi i trotinetëve elektrikë privatë është i paligjshëm në rrugët publike, dhe ka vetëm disa operatorë që japin trotinetë elektrikë me qira.

LEXO: Qytetarët në Shkup do të mund të shfrytëzojnë 500 trotinete elektrik LEXO: Deri 15 mijë denarë mbështetje financiare për blerjen e biçikletave dhe trotineteve