Gjykata e Lartë i hap rrugë planit të Trump për shkarkime masive në Departamentin e Arsimit

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi të hënën që presidenti Donald Trump mund të vazhdojë me planin e tij për të shkarkuar në masë punonjësit e Departamentit të Arsimit, duke i dhënë një tjetër fitore administratës së tij në një gjykatë me shumicë konservatore. Me një urdhër të panënshkruar, Gjykata pezulloi përkohësisht vendimin [...]Read More...

Gjykata e Lartë i hap rrugë planit të Trump për shkarkime masive në Departamentin e Arsimit

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi të hënën që presidenti Donald Trump mund të vazhdojë me planin e tij për të shkarkuar në masë punonjësit e Departamentit të Arsimit, duke i dhënë një tjetër fitore administratës së tij në një gjykatë me shumicë konservatore.

Me një urdhër të panënshkruar, Gjykata pezulloi përkohësisht vendimin e një gjykate më të ulët, e cila e kishte bllokuar për një kohë të pacaktuar këtë plan. Kjo do të thotë se masa e mëparshme është ngrirë, derisa të përfundojë beteja ligjore. Tre nga gjykatësit liberalë votuan kundër kësaj vendimi.

Në një kundërshtim të fortë, gjykatësja Sonia Sotomayor më e vjetra ndër anëtarët liberalë të Gjykatës, e cilësoi vendimin si “të pambrojtshëm”, duke argumentuar se lejimi i Trump për të çmontuar një agjenci qeveritare që mund të shfuqizohet vetëm nga Kongresi, përbën një kërcënim serioz ndaj ndarjes së pushteteve.

“Shumica ose mbyll sytë me vetëdije ndaj pasojave të këtij vendimi, ose është naive. Në të dy rastet, rreziku për ndarjen e pushteteve, siç përcaktohet në Kushtetutën tonë, është i rëndë. Nuk mund të pranoj këtë abuzim me rolin tonë si trupë gjyqësore në raste urgjente, ndaj jam në mosmarrëveshje me respekt”, shkroi ajo.

Trump kishte urdhëruar shkarkimet në fillim të vitit, duke reduktuar me më shumë se gjysmën fuqinë punëtore të Departamentit të Arsimit. Megjithatë, gjykatat më të ulëta e kishin bllokuar këtë veprim, duke theksuar se departamenti ishte krijuar me ligj nga Kongresi dhe nuk mund të shfuqizohej me urdhër ekzekutiv.

Gjykatësi federal Myong Joun, i emëruar nga presidenti Joe Biden, kishte ndaluar përfundimisht zbatimin e planit, duke urdhëruar rikthimin në punë të rreth 1.400 punonjësve të larguar. Vendimi i tij pasonte një padi të ngritur nga një sindikatë mësuesish, distrikte shkollore, shtete dhe organizata të arsimit. Në vendim, Joun shkruante se “departamenti nuk mund të mbyllet pa miratimin e Kongresit” dhe se shkarkimet e propozuara “do ta paralizonin atë në mënyrë efektive”. Ai shtonte se “dokumentet tregojnë qartë se qëllimi i vërtetë është çmontimi i departamentit pa një bazë ligjore”.

Gjykata e Apelit e Qarkut të Parë, me seli në Boston, kishte refuzuar në mënyrë unanime kërkesën e Trump për të rrëzuar këtë vendim në fillim të qershorit, duke e shtyrë çështjen drejt Gjykatës së Lartë.

Në apelimin e tij, ekipi ligjor i Trump argumentoi se ndërhyrja në Departamentin e Arsimit ka të bëjë me “vendime të brendshme menaxheriale” dhe me “eliminimin e funksioneve diskrecionale që, sipas administratës, është më mirë t’u kalojnë shteteve”.

Edhe pse Trump ka premtuar publikisht në fushatën elektorale se do ta mbyllë plotësisht këtë departament, avokatët e tij sqaruan në dokumentet zyrtare se ky nuk është rasti. Sipas tyre, departamenti do të vijojë të ushtrojë funksionet ligjore, por me një staf shumë më të reduktuar.

Departamenti i Arsimit u krijua gjatë administratës së presidentit Jimmy Carter dhe është përgjegjës për shpërndarjen e fondeve federale për shkollat, për menaxhimin e ndihmës studentore dhe për zbatimin e ligjeve të të drejtave civile, përfshirë mbështetjen për studentët me aftësi të kufizuara. Megjithatë, pjesa më e madhe e politikave të arsimit publik në SHBA është kompetencë e shteteve./abcnews.al