Greiçevci: Thaçi mirënjohës për mijëra urimet e qytetarëve për ditëlindje

Greiçevci: Thaçi mirënjohës për mijëra urimet e qytetarëve për ditëlindje
Anëtari i ekipit mbrojtës të Hashim Thaçi në gjykimin në Hagë, Lirim Greiçevci, ka bërë të ditur se ka komunikuar drejtpërdrejt me ish-presidentin me rastin e ditëlindjes së tij.
Greiçevci përmes një postimi në Facebook njoftoi se e ka uruar personalisht Thaçin, duke theksuar se gjatë bisedës e ka informuar edhe për mijëra urime që, sipas tij, qytetarët kanë shprehur në rrjetet sociale.
Sipas Greiçevcit, shumë prej këtyre mesazheve përmbajnë dëshirën që kjo të jetë ditëlindja e fundit e Thaçit në paraburgim në Hagë.
"Një nga përparësitë që e kam si anëtar i ekipit mbrojtës të Presidentit Hashim Thaçi është që kam mundësi të komunikoj drejtpërsëdrejti me të. Sot e kisha privilegjin që t’ia uroj ditëlindjen personalisht. Më me rëndësi, e informova për mijëra e mijëra urime për ditëlindjen e tij që kam parë në rrjete sociale, ku qytetarët shprehin dëshirën që kjo të jetë ditëlindja e tij e fundit në ambientet e paraburgimit në Hagë", shkroi ai.
Greiçevci gjithashtu shkroi se ish-presidenti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e qytetarëve ndër vite, duke theksuar se pret që në të ardhmen t’i falënderojë ata edhe personalisht.
“Presidenti Thaçi është shumë mirënjohës ndaj secilit qytetar të Kosovës dhe mezi pret t’i falenderojë personalisht, për gjithë mbështetjen që kanë treguar përgjatë këtyre viteve të rënda. Këtë postim po e shoqëroj me një foto nga pritja me nderime ushtarake që iu bë Presidentit Thaçi në akademinë prestigjioze ushtarake britanike “Sandhurst”, në ditëlindjen e tij, më 24 prill 2017”, tha Greiçevci.
Burimi i lajmit:orainfo.net
Shënim: Ky material është marrë nga burime publike në internet dhe është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today. Portali nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen origjinale të publikuar nga burimi. Për ankesa ose kërkesa për heqje materiali, na kontaktoni në Facebook: KosovaToday. Faleminderit për mirëkuptimin.



