‘Grusht shteti’ nga Gen Z në Nepal/ Caktohet data për mbajtjen e zgjedhjeve vendore
Presidenti i Nepalit, Ramchandra Paudel, ka shpërndarë parlamentin dhe ka shpallur zgjedhje të reja për më 5 mars 2026, pas një jave trazirash të dhunshme që kulmuan me emërimin e kryeministres së parë grua në historinë e vendit në një qeveri të përkohshme. Vendimi erdhi vetëm disa orë pasi Paudel emëroi ish-kryegjyqtaren Sushila Karki si [...]Read More...

Presidenti i Nepalit, Ramchandra Paudel, ka shpërndarë parlamentin dhe ka shpallur zgjedhje të reja për më 5 mars 2026, pas një jave trazirash të dhunshme që kulmuan me emërimin e kryeministres së parë grua në historinë e vendit në një qeveri të përkohshme.
Vendimi erdhi vetëm disa orë pasi Paudel emëroi ish-kryegjyqtaren Sushila Karki si kryeministre të përkohshme, pas dorëheqjes së kryeministrit K.P. Sharma Oli, i cili u detyrua të largohej nga posti mes protestave masive të udhëhequra nga të rinjtë e brezit “Gen Z” kundër korrupsionit.
“Në bazë të nenit përkatës të Kushtetutës, Presidenti ka shpërndarë Dhomën e Përfaqësuesve dhe ka caktuar datën 5 mars 2026, e enjte, për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme,” thuhet në një deklaratë nga zyra presidenciale.
Emërimi i Karkit u bë pas dy ditësh negociatash intensive ndërmjet Presidentit Paudel, shefit të ushtrisë Ashok Raj Sigdel dhe përfaqësuesve të protestuesve, në përpjekje për të stabilizuar vendin pas dhunës më të rëndë politike në vitet e fundit, ku humbën jetën të paktën 51 persona dhe mbi 1,300 u plagosën.
Protestat shpërthyen fillimisht për shkak të një ndalese të rrjeteve sociale, një vendim që më pas u anulua, por që nxiti një valë pakënaqësie të akumuluar ndaj korrupsionit dhe papunësisë së lartë. Dhuna u zbut vetëm pas dorëheqjes së Oli-t të martën.
Nepali, me një popullsi prej rreth 30 milionë banorësh i vendosur mes Indisë dhe Kinës, është përballur vazhdimisht me paqëndrueshmëri politike dhe ekonomike që nga shpallja e republikës në vitin 2008. Mungesa e vendeve të punës ka detyruar miliona të rinj të emigrojnë drejt vendeve si Koreja e Jugut, Malajzia dhe Lindja e Mesme. / abcnews.al /