Haga në kaos, protestuesit përplasen me policinë për emigracionin

Policia holandeze përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit kundër emigracionit, të cilët u përfshinë në përleshje të dhunshme me forcat e rendit të shtunën në Hagë. Sipas agjencisë së lajmeve ANP, rreth 30 persona u arrestuan dhe dy efektivë policie mbetën të plagosur, pasi turma të mëdha protestuesish konfrontuan policinë, duke [...]Read More...

Haga në kaos, protestuesit përplasen me policinë për emigracionin

Policia holandeze përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit kundër emigracionit, të cilët u përfshinë në përleshje të dhunshme me forcat e rendit të shtunën në Hagë.

Sipas agjencisë së lajmeve ANP, rreth 30 persona u arrestuan dhe dy efektivë policie mbetën të plagosur, pasi turma të mëdha protestuesish konfrontuan policinë, duke hedhur gurë dhe shishe. Rreth 1 mijë e 500 protestues bllokuan një autostradë që kalon përmes qytetit, ndërsa një makinë policie u dogj.

Kryeministri Dick Schoof dënoi dhunën, duke e cilësuar atë si “pamje tronditëse dhe absurde të dhunës së turpshme” dhe shtoi se ishte “plotësisht e papranueshme”.

Lideri i së djathtës ekstreme, Geert Wilders, fitues i zgjedhjeve të fundit dhe në krye të sondazheve për votimin e 29 tetorit ishte ftuar të merrte pjesë në protestë, por nuk u paraqit. Edhe ai e dënoi dhunën ndaj policisë, duke e cilësuar si “krejtësisht të papranueshme” dhe shtoi se ishte “vepër e idiotëve”.

Protestuesit thyen gjithashtu xhamat e selisë së partisë qendrore të majtë D66, e cila shihet nga të djathtët ekstremë si një parti e elitës progresiste. Kreu i D66, Rob Jetten, tha se dëmet brenda zyrave ishin të konsiderueshme dhe iu bëri thirrje protestuesve të “qëndrojnë larg partive politike”.

“Nëse mendoni se mund të na trembni, jeni gabim. Nuk do të lejojmë kurrë që vandalët ekstremistë të na marrin vendin tonë të bukur”, shkroi Jetten në rrjetin social X.

Zyrtarë të partisë konfirmuan se në momentin e protestës, në ambientet e D66 nuk ndodhej askush.

Qeveria holandeze u rrëzua në qershor, pasi Wilders tërhoqi partinë e tij të ekstremit të djathtë, PVV, nga koalicioni qeverisës, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi politikat e emigracionit.

Ai kishte kërkuar 10 masa shtesë për azilin, përfshirë pezullimin e aplikimeve, ndalimin e ndërtimit të qendrave të pritjes dhe kufizimin e bashkimeve familjare.

Koalicioni qeverisës kishte qenë në fuqi për më pak se një vit. Protesta ishte organizuar nga një aktivist i së djathtës, me kërkesën për masa më të ashpra kundër emigracionit dhe ndalimin e azilkërkuesve. Dhuna shpërtheu kur grupe të mëdha protestuesish, shumë prej tyre me flamuj holandezë dhe simbole të së djathtës ekstreme, u përballën me forcat e sigurisë./abcnews.al