Haxhiu: Vetëvendosje nuk është ndërtuar mbi interesa personale, por mbi guximin për të qenë i drejtë
Edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, foli në tribunën e organizuar me rastin e njëzetvjetorit të Lëvizjes Vetëvendosje, duke vënë në pah parimet mbi të cilat është ndërtuar kjo lëvizje dhe rolin që ka pasur në ndërgjegjësimin shoqëror e politik. Ajo theksoi se Vetëvendosje ka ruajtur vazhdimisht orientimin drejt interesit publik dhe ka

Edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, foli në tribunën e organizuar me rastin e njëzetvjetorit të Lëvizjes Vetëvendosje, duke vënë në pah parimet mbi të cilat është ndërtuar kjo lëvizje dhe rolin që ka pasur në ndërgjegjësimin shoqëror e politik.
Ajo theksoi se Vetëvendosje ka ruajtur vazhdimisht orientimin drejt interesit publik dhe ka qenë një zë i fuqishëm në promovimin e barazisë gjinore dhe drejtësisë shoqërore.
“Si Vetëvendosje jemi ndërtuar, jo si mjete për pushtet, por si mjete për ndërgjegjësim. Vetëvendosje ka insistuar në lidhjen e ngushtë mes qytetarit dhe politikës. Nuk është ndërtuar mbi interesa personale. Mbi guximin për të qenë i drejtë edhe atëherë kur është shumë i vështirë. Një tjetër është roli i Vetëvendosjes në thyerjen e paragjykimeve gjinore”, tha Haxhiu.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se kjo lëvizje ka sfiduar bindjet e vjetra për politikën dhe organizimin qytetar në Kosovë.
Ai theksoi se Vetëvendosje është dëshmi se një organizatë që vjen nga baza mund të arrijë sukses të madh, pavarësisht mungesës së mbështetjes nga qarqet e fuqishme.
“Lëvizja Vetëvendosje ka thyer shumë mite, një prej tyre është se një organizatë që vjen nga baza nuk mund të ketë sukses po nuk pati mbështetje nga të fortit, nga të mëdhenjtë. Realisht tek ne nuk e kemi pasur atë. Siç thash më herët jemi luftuar pothuajse nga të gjithë, por për shkak të vullnetit e punës së jashtëzakonshme, e sakrificave ne jemi ku jemi. Dhe jemi shembull për shumë organizime edhe në mbarë botën dhe për suksesin por patjetër edhe për kreativitetin”, përfundoi ai.