I braktisur nga nëna, i harruar nga sistemi, kjo është historia e djalit 5-vjeçar pa dokumente

Selajdin Musaj nga Fushë-Kosova dhe Dorina Mata nga Kukësi u bashkuan në vitin 2017. Asokohe u tha se dashuria e tyre sfidoi edhe kufijtë, por jo edhe ligjin. Ajo erdhi nga Kukësi për të ndërtuar një jetë të re në Kosovë. Jetën e tyre e ndërtuan në komunën më të afërt me kryeqytetin, në Fushë-Kosovë

I braktisur nga nëna, i harruar nga sistemi, kjo është historia e djalit 5-vjeçar pa dokumente

Selajdin Musaj nga Fushë-Kosova dhe Dorina Mata nga Kukësi u bashkuan në vitin 2017. Asokohe u tha se dashuria e tyre sfidoi edhe kufijtë, por jo edhe ligjin.

Ajo erdhi nga Kukësi për të ndërtuar një jetë të re në Kosovë. Jetën e tyre e ndërtuan në komunën më të afërt me kryeqytetin, në Fushë-Kosovë, ku jetuan së bashku për tetë vite, por asnjëherë nuk e zyrtarizuan dashurinë e tyre. Të paktën ligjërisht, ata nuk u bënë asnjëherë burrë e grua.

Dashuria e tyre solli në jetë një djalë, i cili aktualisht është 5 vjeç e gjysmë, por nuk e mban mend aq shumë të ëmën. Kur ai ishte ende foshnjë, nëna e tij u largua, duke lënë pas bashkëshortin dhe të birin – e rrjedhimisht, duke e futur fëmijën në një mal problemesh ligjore.

Sot, djali është pa identitet ligjor. Edhe pse babai kujdeset për të çdo ditë, pa nënshkrimin e së ëmës, ai nuk mund ta pajisë fëmijën me asnjë dokument zyrtar.

Pavarësisht kësaj, çështja e tyre nuk është paraqitur asnjëherë në Qendrën për Punë Sociale në Fushë-Kosovë, për të kërkuar një zgjidhje.

Kiks Kosova trokiti në derën e drejtorit të këtij institucioni për të kërkuar një rrugëdalje për këtë familje dhe për të ndihmuar sado pak në zgjidhjen ligjore të këtij rasti.

Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Fushë-Kosovë, Abaz Xhigoli, tha se në raste kur njëri prind ka sjellje problematike dhe mungesë kujdesi ndaj fëmijës, atëherë ai humbet përballë prindit të përgjegjshëm. Por, sipas tij, ky rast është ndryshe.

Ai shtoi se fillimisht Musaj është dashur të kërkojë ndihmë në Qendrën për Punë Sociale, e më pas të nisë procedurat për kujdestari ligjore.

Ligji për familjen përmban nene specifike për njohjen e atësisë menjëherë pas lindjes, edhe nëse çifti nuk ka kurorëzimi zyrtar.

Pikërisht për këtë, sipas avokatit Xhevdet Smakiqi, nuk duhet të ketë pengesa për regjistrimin e fëmijës. Ai deklaroi se, edhe nëse prindërit nuk janë të martuar, fëmija duhet të ketë një status të qartë të kujdestarisë.

Qendra për Punë Sociale në Fushë-Kosovë ka kontaktuar Selajdin Musaj për t’i ofruar ndihmë lidhur me çështjen e pazgjidhur të djalit të tij 5-vjeçar. /KlanKosova/