I nxehti ‘mbërthen’ Europën/ Dy viktima në Itali, evakuime në Turqi nga zjarret

Dy persona kanë humbur jetën në Itali për shkak të temperaturave ekstreme që kanë përfshirë Europën gjatë një vale intensive të të nxehtit. Në qytetin e Bolognës, një 47-vjeçar vdiq pasi pësoi komplikacione shëndetësore në një kantier ndërtimi, ndërsa një 70-vjeçar u mbyt gjatë përmbytjeve të shpejta në një vendpushim pranë Torinos. Në Itali, rajoni [...]Read More...

I nxehti ‘mbërthen’ Europën/ Dy viktima në Itali, evakuime në Turqi nga zjarret

Dy persona kanë humbur jetën në Itali për shkak të temperaturave ekstreme që kanë përfshirë Europën gjatë një vale intensive të të nxehtit.

Në qytetin e Bolognës, një 47-vjeçar vdiq pasi pësoi komplikacione shëndetësore në një kantier ndërtimi, ndërsa një 70-vjeçar u mbyt gjatë përmbytjeve të shpejta në një vendpushim pranë Torinos.

Në Itali, rajoni i Toskanës ka parë një rritje prej 20% të shtrimeve në spitale. Në 21 nga 27 qytetet italiane është shpallur alarmi më i lartë për temperaturat ekstreme. Në Lombardi, është ndaluar puna në ambient të hapur nga ora 12:30 deri në 16:00 deri në shtator.

Në Turqinë perëndimore, mbi 50,000 persona janë evakuuar si pasojë e zjarreve të fuqishme në provincën e Izmirit, ndërsa janë raportuar zjarre edhe në Bilecik, Hatay, Sakarya dhe Manisa. Ministri i Pyjeve, bëri të ditur se gjatë tre ditëve të fundit, ekipet emergjente kanë ndërhyrë në 263 zjarre në mbarë vendin.

Në Francë, pjesa e sipërme e Kullës Eiffel është mbyllur për shkak të të nxehtit, ndërkohë që janë regjistruar rekordet më të larta të temperaturave për muajin qershor në disa qytete. Rajoni i Parisit ka shpallur për herë të parë pas pesë vitesh alarm të kuq për temperaturat ekstreme, duke çuar në mbylljen e pjesshme ose të plotë të 1,350 shkollave publike.

Në Spanjë dhe Portugali, janë regjistruar temperaturat më të larta të qershorit ndonjëherë, me 46°C në El Granado të Spanjës dhe 46.6°C në Mora të Portugalisë. Në disa zona të Gadishullit Iberik, temperaturat kanë kaluar 43°C, megjithatë parashikohet një lehtësim nga e enjtja.

Në Gjermani, meteorologët paralajmëruan se temperaturat do të shkojnë deri në 38°C, duke rrezikuar rekorde të reja. Në Greqi, temperaturat kanë qëndruar afër 40°C për disa ditë, me zjarre që kanë përfshirë zona pranë Athinës, duke detyruar evakuime dhe shkatërruar shtëpi.

Komisioneri i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, deklaroi se vala e të nxehtit është një paralajmërim për nevojën urgjente për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike. Ai theksoi se temperaturat ekstreme rrezikojnë të drejtën për jetë, shëndet dhe një mjedis të shëndetshëm.