Inaugurohen Ferma Didaktike dhe dy institute të reja kërkimore në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë

Inaugurohen Ferma Didaktike dhe dy institute të reja kërkimore në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë

Mbështetja e Programit IWRM-K forcon mësimin praktik dhe kërkimin shkencor, duke lidhur zhvillimin e bujqësisë me menaxhimin e qëndrueshëm të resurseve ujore dhe mbrojtjen e mjedisit.

Në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës u inauguruan sot Ferma Didaktike, Instituti për Bujqësi, Ushqim, Mjedis dhe Agrobiznes (IBUMA) dhe Instituti për Blegtori dhe Veterinari (IBV). Ferma Didaktike dhe dy institutet e sapothemeluara janë mbështetur nga Programi për Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore në Kosovë (IWRM-K), duke krijuar mundësi të reja për mësim praktik, kërkim shkencor dhe bashkëpunim me sektorin bujqësor.

Screenshot

Ferma Didaktike dhe dy institutet krijojnë mundësi për ta lidhur më ngushtë arsimin dhe kërkimin shkencor me nevojat e fermerëve, bizneseve dhe institucioneve publike. Përmes tyre do të mbështetet bashkëpunimi ndërmjet fushave të bujqësisë, ushqimit, blegtorisë, veterinarisë, mjedisit, menaxhimit të resurseve ujore dhe agrobiznesit, duke kontribuar në adresimin e sfidave si ndryshimet klimatike, sigurisë ushqimore dhe menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore.

“Studentët do të kenë mundësinë të mësojnë drejtpërdrejt nga praktika, të zhvillojnë aftësi profesionale dhe të kuptojnë më mirë sfidat reale të sektorit bujqësor dhe blegtoral. Studiuesit do të kenë një platformë për kërkime të aplikuara, mbledhje të dhënash dhe zhvillim të zgjidhjeve inovative. Fermerët do të përfitojnë nga demonstrimi i praktikave moderne dhe të qëndrueshme të menaxhimit të fermave, të blegtorisë dhe të burimeve natyrore”, theksoi Ardiana Efendija-Zhuri, përfaqësuese e Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, njëkohësisht donatorë të Programit IWRM-K.

Studentët do të kenë mundësi të mësojnë për ushqyerjen, kujdesin, mirëqenien dhe riprodhimin e kafshëve, rritjen e të vegjëlve, menaxhimin e prodhimit blegtoral dhe menaxhimin e plehut organik. Këto përvoja ndihmojnë në kuptimin e lidhjes ndërmjet shëndetit të kafshëve, cilësisë së prodhimit, menaxhimit të fermës dhe mbrojtjes së resurseve ujore.

Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë përfaqësues të Universitetit të Prishtinës, Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, institucioneve dhe partnerëve të Programit, së bashku me studentë dhe të ftuar.

“Universiteti i Prishtinës ka kënaqësinë që, përmes bashkëpunimit me Programin IWRM-K, të krijojë kushte më të mira për punë dhe studim për studentët, dhe njëkohësisht të ofrojë një hapësirë didaktike për studiuesit dhe agrobiznesin. Kjo arritje është në dobi të institucionit dhe, mbi të gjitha, të studentëve tanë”, theksoi Arben Hajrullahu, Rektor i Universitetit të Prishtinës, në fjalën e tij përshëndetëse.

Screenshot

Mbrojtja e resurseve ujore është gjithashtu pjesë e këtij procesi mësimor. Menaxhimi i duhur i plehut organik, ruajtja dhe përdorimi i tij sipas nevojave të tokës dhe kulturave mund të zvogëlojnë rrezikun e ndotjes së ujërave dhe nevojën për përdorimin e plehrave kimike. “Së bashku me përdorimin efikas të ujit dhe kujdesin për tokën, këto praktika demonstrojnë se si menaxhimi i fermës mund të sjellë përfitime ekonomike dhe mjedisore”, theksoi Arben Musliu, Dekan i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë.

Përmes mbështetjes për Fermën Didaktike, IBUMA-n dhe IBV-në, IWRM-K kontribuon në forcimin e kapaciteteve të Fakultetit për mësimdhënie, kërkim të aplikuar dhe transferim të njohurive. Kjo lidhje ndërmjet universitetit, kërkimit shkencor dhe praktikës profesionale synon të kontribuojë në zhvillimin e një bujqësie më të qëndrueshme dhe në menaxhimin më të përgjegjshëm të resurseve natyrore në Kosovë.

Programi për Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore në Kosovë (IWRM-K) është një iniciativë transformuese 12-vjeçare e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Qeverisë së Kosovës i cili synon forcimin e qeverisjes së ujit, përmirësimin e qasjes në shërbime ujore dhe nxitjen e barazisë gjinore në menaxhimin e resurseve natyrore në Kosovë. Programi implementohet nga SKAT Consulting dhe Agjencia Austriake e Mjedisit (EAA).

Screenshot


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.