Infermierët e huaj në Gjermani vazhdojnë të përballen me barriera gjuhësore dhe kulturore

Sistemi shëndetësor gjerman mbështetet fuqishëm te infermierët e huaj, ku sipas Agjencisë Federale të Punësimit, përqindja e tyre është rritur ndjeshëm në dekadën e fundit, duke arritur në 16 për qind në vitin 2023 dhe vijon të rritet. Megjithatë, shumë infermierë dhe kujdestarë të huaj përballen me sfida të mëdha, jo vetëm për shkak të […] The post Infermierët e huaj në Gjermani vazhdojnë të përballen me barriera gjuhësore dhe kulturore appeared first on Albinfo.

Infermierët e huaj në Gjermani vazhdojnë të përballen me barriera gjuhësore dhe kulturore

Sistemi shëndetësor gjerman mbështetet fuqishëm te infermierët e huaj, ku sipas Agjencisë Federale të Punësimit, përqindja e tyre është rritur ndjeshëm në dekadën e fundit, duke arritur në 16 për qind në vitin 2023 dhe vijon të rritet.

Megjithatë, shumë infermierë dhe kujdestarë të huaj përballen me sfida të mëdha, jo vetëm për shkak të mungesës së njohurive të gjuhës gjermane, por edhe për shkak të problemeve sistematike si mosnjohja e plotë e diplomave dhe përvojave të tyre.

Shumë prej tyre fillojnë punën ndërkohë që ende po mësojnë gjermanishten, ka thënë Këshilli Gjerman i Infermierisë (DBfK). Kjo shkakton vështirësi si për vetë infermierët e huaj, ashtu edhe për kolegët gjermanë që shpesh detyrohen t’i trajnojnë për terminologjinë teknike përveç detyrave të tyre të zakonshme.

Presidentja e DBfK, Christine Vogler, ka kërkuar që standardet gjuhësore të jenë të detyrueshme dhe të unifikuara për të gjithë infermierët, pasi aktualisht ato ndryshojnë shumë nga një land në tjetrin, transmeton albinfo.ch.

Gjuha nuk ka të bëjë vetëm me transmetimin e informacionit, por edhe me krijimin e marrëdhënieve në vendin e punës, tha zëdhënësja e DBfK, Anja Hild. Ajo shtoi se shpeshherë, diferencat kulturore rreth pritshmërive për rolin e infermierëve ngatërrohen thjesht si çështje gjuhësore.

P.sh. shumë infermierë të huaj, të trajnuar si staf mjekësor në vendet e tyre, habiten kur kuptojnë se në Gjermani infermierët kujdesen edhe për higjienën personale të pacientëve, i ndihmojnë të lahen, të hanë apo të ngrihen nga shtrati.

“Edhe nëse di gjermanisht perfekt, nëse nuk e di që kujdesi personal është pjesë e punës së infermierit këtu, do ta kesh të vështirë,” tha Koudjo Johnson, menaxher integrimi në Klinikën Ernst-von-Bergmann në Potsdam.

Ai përmendi një rast ku një infermiere me përvojë në kirurgjinë traumatike u caktua në një klinikë okulistike, gjë që e la të ndjehej e nënvlerësuar dhe e demotivuar. Sipas tij, punësimi duhet të bëhet duke u bazuar në përvojën dhe aftësitë, jo vetëm në nevojën për staf.

Një studim i DBfK tregon se pothuajse 80 për qind e infermierëve gjermanë pajtohen që sistemi shëndetësor ka nevojë për punonjës të huaj.

The post Infermierët e huaj në Gjermani vazhdojnë të përballen me barriera gjuhësore dhe kulturore appeared first on Albinfo.