Inflacioni në Zvicër mbetet jashtëzakonisht i ulët

Inflacioni në Zvicër vazhdon të mbetet në nivele shumë të ulëta. Në korrik, indeksi i çmimeve të konsumit ra me 0.1% krahasuar me qershorin, ndërsa në nivel vjetor çmimet ishin vetëm 0.4% më të larta, sipas të dhënave të Zyrës Federale të Statistikave. Inflacioni bazë ishte edhe më i ulët, në 0.3%.
Rënia mujore e çmimeve u ndikua veçanërisht nga udhëtimet, karburantet dhe veshmbathjet. Biletat për fluturimet ndërkombëtare u liruan me 4.3%, nafta me 5.8% dhe benzina me 2.4% krahasuar me qershorin. Për shkak të uljeve sezonale, çmimet e veshjeve dhe këpucëve ranë me 8.5%, transmeton albinfo.ch.
Megjithatë, jo të gjitha kategoritë shënuan rënie. Çmimet e banimit dhe energjisë u rritën me 0.2%, ndërsa ato në restorante dhe hotele me 1.1%. Veçanërisht e theksuar ishte rritja e çmimit të naftës për ngrohje me 9.5%, ndërsa qiraja e veturave dhe shërbimet e ndarjes së automjeteve u shtrenjtuan me 26.7%.
Edhe shpenzimet e kujdesit shëndetësor paraqesin një situatë interesante. Çmimet në këtë kategori nuk ndryshuan gjatë korrikut dhe ishin 0.5% më të ulëta se një vit më parë. Megjithatë, në indeksin e çmimeve nuk përfshihen primet e detyrueshme të sigurimit shëndetësor, të cilat mund të rriten edhe kur çmimet e shërbimeve mjekësore mbeten relativisht stabile.
Të dhënat tregojnë gjithashtu dallim mes mallrave dhe shërbimeve. Çmimet e mallrave ishin 0.5% më të ulëta se një vit më parë, ndërsa shërbimet u shtrenjtuan me 0.9%.
Me inflacionin e përgjithshëm në vetëm 0.4% dhe inflacionin bazë në 0.3%, Zvicra vazhdon të ketë presione shumë të kufizuara inflacioniste.
The post Inflacioni në Zvicër mbetet jashtëzakonisht i ulët appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



