Inspektorati konstaton se kushtet e punës në Pallatin e Drejtësisë janë jashtë standardeve
Inspektorati i Punës dhe Mbrojtjes në punë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka inspektuar kushtet e punës në Pallatin e Drejtësisë, konkretisht në objektin A dhe D, ku është konstatuar se kushtet janë jashtë standardit të lejuar me ligjet në fuqi. Inspektorati ka kërkuar që deri më 7 korrik të eliminohen parregullsitë e

Inspektorati i Punës dhe Mbrojtjes në punë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka inspektuar kushtet e punës në Pallatin e Drejtësisë, konkretisht në objektin A dhe D, ku është konstatuar se kushtet janë jashtë standardit të lejuar me ligjet në fuqi.
Inspektorati ka kërkuar që deri më 7 korrik të eliminohen parregullsitë e evidentuara.Kështu bëri të ditur për “Betimi për Drejtësi” administratori i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Shaban Gërxhaliu.
Inspektimi për kushtet e punës në zyrat e punonjësve të gjykatës, hapësirat e përbashkëta dhe sallat e gjykimit, është bërë të hënën më 30 qershor.
“Mund të ju konfirmoj se dje më datë 30.06.2025 Pallati i Drejtësisë, konkretisht Objekti A dhe D janë vizituar nga Inspektorati i Punës dhe Mbrojtjes në punë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenjes SocialeTë njëjtit kanë inspektuar kushtet e punës në zyrat e punonjësve të gjykatës, hapësirat e përbashkëta dhe sallat e gjykimeve”, thuhet në përgjigjen e Gërxhaliut.
Sipas Gërxhaliut, inspektimi është iniciuar nga sinjalizues të ndryshëm përkitazi me temperaturat e larta që po mbretërojnë në Pallatin e Drejtësisë. Ky inspektim ka konstatuar se nuk plotësohen kushtet e punës në Pallat.
“Sipas tyre inspektimi është inicuar nga sinjalizues të ndryshëm përkitazi me temperaturat e larta që po mbretërojnë në Pallatin e Drejtësisë. Pas inspektimit, të njëjtit me procesverbal kanë konstatuar se në të gjitha hapësirat e inspektuara kushtet e punës del të jenë jashtë standardeve maksimale të lejuara sipas legjislacionit në fuqi”, shtoi Gërxhaliu.
Andaj, bazuar në gjetjet e evidentuara në procesverbal, Inspektoriati ka kërkuar nga punëdhënësi që të eliminohen parregullsitë deri më 7 korrik 2025.
“Lidhur me këtë, Inspektorët kanë dhënë afat për punëdhësin deri më 07.07.2025 për eliminimin e parregullsive të konstatuara në procesverbal”, thuhet ndër të tjera në përgjigje.
Për këtë Inspektim, Gërxhaliu tha se ka njoftuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.
“Përkitazi me inspektimin janë njoftuar Këshilli Gjyqësorë i Kosovës si punëdhënës dhe Ministria e Punëve të Brendshme si përgjegjës për menaxhimin e objekteve të Pallatit të Drejtësisë”, thuhet në fund të përgjigjes.
“Betimi për Drejtësi” ekskluzivisht kishte raportuar mbi vendimin e Këshillit Gjyqësorë të Kosovës me të cilin shqyrtohej pezullimi i punës në Pallatin e Drejtësisë ku janë të vendosura gjykatat.Po ashtu, “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar për temperaturat e larta në Pallatin e Drejtësisë, si rezultat i të cilave Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Gjykata Supreme, kanë vendosur të reduktojnë punën.Gjithashtu, “Betimi për Drejtësi” gjatë monitorimit të Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatës dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, të mbajtur më 30 qershor 2025, kishte raportuar mbi kërkesën e kryesuesit të KGJK-së, Albert Zogaj që të nisin hetimet nga Prokuroria për gjendjen në Pallati e Drejtësisë.