Irani dhe vendet evropiane takohen në Gjenevë mes kërcënimeve për rikthim të sanksioneve

Përfaqësues të Francës, Britanisë dhe Gjermanisë  të njohura si grupi E3 – u takuan të martën në Gjenevë me zyrtarë iranianë, në një përpjekje të fundit për të shpëtuar diplomacinë mbi programin bërthamor të Iranit, para se të humbin mundësinë ligjore për të rikthyer sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj Teheranit. Treshja evropiane po shqyrton [...]Read More...

Irani dhe vendet evropiane takohen në Gjenevë mes kërcënimeve për rikthim të sanksioneve

Përfaqësues të Francës, Britanisë dhe Gjermanisë  të njohura si grupi E3 – u takuan të martën në Gjenevë me zyrtarë iranianë, në një përpjekje të fundit për të shpëtuar diplomacinë mbi programin bërthamor të Iranit, para se të humbin mundësinë ligjore për të rikthyer sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj Teheranit.

Treshja evropiane po shqyrton mundësinë për të aktivizuar mekanizmin e “snapback”, që do të rikthente automatikisht sanksionet e OKB-së, me pretendimin se Irani ka shkelur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, e cila synonte të pengonte Teheranin të zhvillonte armë bërthamore.

Megjithatë, E3 ka ofruar të shtyjë vendimin për një periudhë të kufizuar nëse Irani rifillon inspektimet e OKB-së, që do të vlerësonin edhe rezervat e mëdha të uraniumit të pasuruar të Iranit, dhe pranon të hyjë në bisedime me SHBA-në.

Për të realizuar këtë shtyrje, është e nevojshme zgjatja e rezolutës së OKB-së të vitit 2015, e cila ka përkrahur zyrtarisht marrëveshjen bërthamore dhe skadon më 18 tetor. Pas kësaj date, E3 nuk do të kenë më të drejtën ligjore për të rikthyer sanksionet përmes mekanizmit të OKB-së.

Irani ka paralajmëruar një “përgjigje të ashpër” nëse sanksionet rivendosen, ndërsa tensionet në bisedime janë rritur, sidomos pas sulmeve në qershor ndaj objekteve bërthamore iraniane, për të cilat Teherani fajëson SHBA-në dhe Izraelin.

Në një zhvillim të papritur, Rusia dhe Kina, gjithashtu palë të marrëveshjes bërthamore, prezantuan një projekt-rezolutë të re në OKB të dielën, duke kërkuar zgjatjen e marrëveshjes deri më 18 prill 2026. Por një version i rishikuar i kësaj rezolute, i shpërndarë të martën, përfshin një klauzolë që pezullon çdo veprim thelbësor të Këshillit të Sigurimit për zbatimin e marrëveshjes, çka ngre shqetësime te vendet e E3 pasi do t’u ndalonte atyre rikthimin e sanksioneve.

Nga ana tjetër, zyrtarë perëndimorë dyshojnë se Irani po përdor taktika për të fituar kohë, pa bërë lëshime të vërteta. “Duam të shohim nëse Irani është serioz për një zgjatje, apo thjesht po na mashtron,” tha një përfaqësues i E3 në kushte anonimiteti.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Irani ka pasuruar uranium deri në 60% pastërti, shumë pranë nivelit 90% që kërkohet për armë bërthamore. Para sulmeve izraelite më 13 qershor, Teherani kishte mjaftueshëm uranium të pasuruar për të prodhuar gjashtë armë bërthamore, nëse do të vazhdonte përpunimin. Megjithatë, prodhimi aktual i një arme kërkon kohë dhe IAEA thotë se nuk ka dëshmi të besueshme për një projekt të koordinuar armësh bërthamore në Iran.

/ abcnews.al /