Ish-prokurori Jack Smith nën hetim për përfshirje politike kundër Trump gjatë zgjedhjeve 2024

Zyra e Këshilltarit të Posaçëm në SHBA ka nisur një hetim zyrtar ndaj ish-prokurorit Jack Smith, pas pretendimeve se ka abuzuar me postin për të ndikuar politikisht ndaj presidentit Donald Trump gjatë zgjedhjeve të vitit 2024, shkruajnë mediat amerikane. Jack Smith ishte emëruar nga Prokurori i Përgjithshëm i Presidentit Biden, Merrick Garland, për të hetuar [...]Read More...

Ish-prokurori Jack Smith nën hetim për përfshirje politike kundër Trump gjatë zgjedhjeve 2024

Zyra e Këshilltarit të Posaçëm në SHBA ka nisur një hetim zyrtar ndaj ish-prokurorit Jack Smith, pas pretendimeve se ka abuzuar me postin për të ndikuar politikisht ndaj presidentit Donald Trump gjatë zgjedhjeve të vitit 2024, shkruajnë mediat amerikane.

Jack Smith ishte emëruar nga Prokurori i Përgjithshëm i Presidentit Biden, Merrick Garland, për të hetuar dy çështje të mëdha ndaj Trump: trajtimin e dokumenteve të klasifikuara dhe rolin e tij në ngjarjet e 6 janarit 2021. Të dy rastet janë hedhur poshtë nga gjykatat pas kthimit të Trump në pushtet.

Hetimi është nisur nga Njësia e Aktit Hatch – një ligj që ndalon zyrtarët federalë të marrin pjesë në aktivitete politike – dhe konfirmohet nga një email i zbuluar nga The New York Post, i shkruar nga këshilltari i lartë Charles Baldis.

Senatori republikan Tom Cotton, i cili kërkoi hetimin, deklaroi: “Askush nuk është mbi ligjin. Veprimet e Smith ishin të qarta: për të dëmtuar fushatën e Trump dhe për të mbështetur Bidenin. Ky është abuzim i pastër i pushtetit”.

Sipas Cotton, Smith ka përshpejtuar qëllimisht hetimet për të ndikuar në momente kyçe të fushatës presidenciale, si kaukuset në Iowa, duke synuar të ndikojë rezultatin e zgjedhjeve. Ai e quajti këtë një “aktivitet të paligjshëm elektoral nga një zyrtar publik”.

Smith ende nuk ka komentuar publikisht mbi hetimin, por më parë ka këmbëngulur se veprimet e tij kanë qenë të pavarura dhe në përputhje me ligjin. Ai dha dorëheqjen në janar 2025, pasi Trump u kthye në detyrë.

Nëse hetimi aktual ndaj Jack Smith për shkelje të mundshme të ligjit dhe përdorim politik të pushtetit si prokuror special çon në ngritjen e një aktakuze ndaj tij, mund të hapet një kapitull i ri edhe për rastin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Natyrisht lind pyetja nëse prokurorja e përgjithshme Pam Bondi, me urdhër të presidentit Trump, do të ndërmarrë veprime për tërheqjen e të gjithë prokurorëve specialë të përfshirë në dosjen kundër Thaçit – të cilët janë të gjithë shtetas amerikanë – në rast se provohet se Smith ka shkelur procedurat gjatë arrestimit të tij.

Thaçi u arrestua në prag të një vizite të planifikuar në Shtëpinë e Bardhë, ku pritej të nënshkruhej një marrëveshje historike paqeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Akuza se ky arrestim ishte i motivuar politikisht ka qarkulluar më herët në qarqe politike në Ballkan, por tani, me nisjen e hetimeve zyrtare ndaj ish-prokurorit Smith, këto dyshime po marrin një dimension të ri.