Ismajl Beka kalon në kategorinë e dytë të Zvicrës, huazohet te Rapperswil-Jona

Ismajl Beka kalon në kategorinë e dytë të Zvicrës, huazohet te Rapperswil-Jona

Mbrojtësi 26-vjeçar i Kosovës, Ismajl Beka, do ta vazhdojë karrierën në kategorinë e dytë të futbollit zviceran, pasi është huazuar nga Grasshopper te Rapperswil-Jona, transmeton albinfo.ch.

Ismajl Beka nuk është zhvilluar në mënyrën që pritej disa vite më parë. Mbrojtësi shtatlartë, në moshën 26-vjeçare, është huazuar nga Grasshopper te Rapperswil-Jona, klub që garon në kategorinë e dytë të futbollit zviceran.

Beka ka kaluar më herët edhe te Luzerni dhe Wili, ndërsa ka përfaqësuar Kosovën në grupmoshat e reja. Ai ka zhvilluar pesë ndeshje me Kosovën U19.

Në vitin 2023, Beka bëri debutimin me Kombëtaren A të Kosovës. Paraqitjen e parë e pati më 12 shtator 2023, në ndeshjen ndaj Rumanisë.

Megjithatë, këtë sezon situata e tij te Grasshopper nuk ka qenë e favorshme. Mbrojtësi nuk është grumbulluar në asnjë ndeshje të Superligës zvicerane dhe tashmë do të kërkojë të fitojë minuta të rregullta me Rapperswil-Jonën.

Lëndimet e penguan zhvillimin e karrierës

Një nga faktorët që kanë ndikuar në zhvillimin e karrierës së Bekës kanë qenë edhe lëndimet e rënda. Në vitet e kaluara, ai ka qëndruar për periudha të gjata jashtë fushës, duke humbur një pjesë të rëndësishme të zhvillimit si futbollist.

Kalimi te Rapperswil-Jona mund t’i japë mundësinë mbrojtësit kosovar të rikthehet në ritmin e ndeshjeve dhe të luajë rregullisht, me synimin për ta ringjallur karrierën dhe për t’u rikthyer në nivelet ku ishte parashikuar të arrinte./Albinfo.ch

The post Ismajl Beka kalon në kategorinë e dytë të Zvicrës, huazohet te Rapperswil-Jona appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.