Izraeli sulmon Libanin/ Pesë të vdekur, mes tyre tre fëmijë

Një sulm me dron i Izraelit në jug të Libanit ka shkaktuar vdekjen e pesë personave, përfshirë tre fëmijë, njofton ministria libaneze e Shëndetësisë. Katër nga të vrarët, përfshirë fëmijët dhe babanë e tyre, mbanin shtetësi amerikane, sipas Kryetarit të Parlamentit libanez, Nabih Berri. Dy persona të tjerë mbetën të plagosur, përfshirë nënën e fëmijëve. [...]Read More...

Izraeli sulmon Libanin/ Pesë të vdekur, mes tyre tre fëmijë

Një sulm me dron i Izraelit në jug të Libanit ka shkaktuar vdekjen e pesë personave, përfshirë tre fëmijë, njofton ministria libaneze e Shëndetësisë.

Katër nga të vrarët, përfshirë fëmijët dhe babanë e tyre, mbanin shtetësi amerikane, sipas Kryetarit të Parlamentit libanez, Nabih Berri. Dy persona të tjerë mbetën të plagosur, përfshirë nënën e fëmijëve.

“Fëmijët në Liban paraqesin kërcënim ekzistencial për entitetin izraelit, apo është vetë sjellja e këtij entiteti, duke vrarë pa kufij dhe pa llogaridhënie, që kërcënon paqen ndërkombëtare?”, shtroi pyetjen ai, teksa bëri apel për reagim.

Ndërkohë, forcat izraelite kanë reaguar duke thënë se synimi i tyre ishte një militant i Hezbollah-ut që vepronte brenda një zone civile.

“IDF do të vazhdojë të veprojë për të eliminuar çdo kërcënim ndaj shtetit të Izraelit”, thuhet në deklaratën e tyre.

Presidenti libanez Joseph Aoun, i cili ndodhet në New York para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dënoi sulmin dhe bëri thirrje për presion ndërkombëtar ndaj Izraelit.

“Nuk ka paqe mbi gjakun e fëmijëve tanë”, deklaroi ai.

Sulmi rikthen tensionet në rajonin e jugut të Libanit, ku konflikti midis Hezbollah-ut dhe Izraelit ka shkaktuar rreth 4 mijë të vdekur dhe ka zhvendosur banorë në zonat jugore dhe lindore të vendit.

Pavarësisht marrëveshjes së ndërmjetësuar nga SHBA-të për tërheqjen e forcave dhe ndalimin e sulmeve, Izraeli vazhdon të mbajë pesë pika kyçe në kufi dhe shpesh synon militantët dhe infrastrukturën e Hezbollah.

Nga ana tjetër, Hezbollah argumenton se prej sulmeve të vazhdueshme, ata duhet të jenë të armatosur dhe të monitorojnë territorin.