Jakup Krasniqi nuk pranon më kujdes mjekësor në Hagë: Më është mohuar çdo e drejtë njerëzore tash e gjashtë vjet

Jakup Krasniqi nuk pranon më kujdes mjekësor në Hagë: Më është mohuar çdo e drejtë njerëzore tash e gjashtë vjet

Gresa Krasniqi, vajza e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka shprehur shqetësimin për gjendjen e të atit, pas një bisede telefonike me të, gjatë së cilës ai i ka thënë se kishte refuzuar kontrollin nga disa mjekë në Hagë.

Sipas saj, Krasniqi ka shprehur pakënaqësi me trajtimin që, sipas tij, po i bëhet në institucionet ku po mbahet, duke i thënë se nuk do të pranojë më kujdes mjekësor nga ana e tyre.

“Para një muaji, Babi u dënua me 25 vjet burgim. Sot, gjatë një telefonate, më tha: “Erdhën disa doktorë për të më kontrolluar, natyrisht që i refuzova. Jam këtu pa të drejtë, më është mohuar çdo e drejtë njerëzore tash e gjashtë vjet, prandaj nuk më duhet as kujdesi i tyre. Ju të jeni të informuar se unë nuk do të pranoj më asnjë kujdes nga ana e tyre””, thuhet në postimin e Gresës.

Ajo ka treguar se është e shqetësuar për vendimin e të atit, duke theksuar se ai është në një moshë kur ka nevojë për kujdes të veçantë.

“Por, si njeri që i kam kaluar 30 vitet e jetës sime duke e njohur dashurinë dhe lirinë, a mund ta detyroj një njeri tjetër, i cili e ka kaluar gjithë jetën e tij me sakrifica dhe që, me këtë dënim të fundit, pritet të kalojë mbi 35 vjet në burgje, t’i përshtatet një sistemi që i ka sjellë vetëm vuajtje dhe padrejtësi?”

“Si mund t’i kërkoj të pranojë kujdesin e atyre institucioneve, kur ai ndihet i tradhtuar pikërisht nga drejtësia që duhej ta mbronte? U ndjeva aq e pafuqishme përballë kësaj fuqie ndërkombëtare kaq të padrejtë. Ne jemi këtu, Babi. Të duam të fortë, të duam të shëndetshëm.” Kaq pata fuqi t’i them. Dënimi i Babit nuk është një gabim që pret të korrigjohet. Është një padrejtësi”, ka shkruar Gresa.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.