Jakup Krasniqi refuzon kujdesin mjekësor, e bija rrëfen telefonatën prekëse: Babi, të duam të fortë

Gresa Krasniqi, e bija e Jakup Krasniqit, ka ndarë një rrëfim prekës nga biseda telefonike me të atin, i cili, sipas saj, ka refuzuar kujdesin mjekësor në burg, pas dënimit me 25 vjet burgim.
Përmes një reagimi ajo ka shprehur shqetësimin për gjendjen dhe shëndetin e babait të saj, që siç shprehet, është në një moshë kur ka nevojë për kujdes të veçantë.
“Ne jemi këtu, Babi. Të duam të fortë, të duam të shëndetshëm.”, shkruan Gresa ndër të tjera.
Postimi i saj i plotë:
Para një muaji, Babi u dënua me 25 vjet burgim.
Sot, gjatë një telefonate, më tha: “Erdhën disa doktorë për të më kontrolluar, natyrisht që i refuzova. Jam këtu pa të drejtë, më është mohuar çdo e drejtë njerëzore tash e gjashtë vjet, prandaj nuk më duhet as kujdesi i tyre. Ju të jeni të informuar se unë nuk do të pranoj më asnjë kujdes nga ana e tyre.”
Si bijë, natyrisht që u shqetësova. Babi është në një moshë kur ka nevojë për kujdes të veçantë.
Por, si njeri që i kam kaluar 30 vitet e jetës sime duke e njohur dashurinë dhe lirinë, a mund ta detyroj një njeri tjetër, i cili e ka kaluar gjithë jetën e tij me sakrifica dhe që, me këtë dënim të fundit, pritet të kalojë mbi 35 vjet në burgje, t’i përshtatet një sistemi që i ka sjellë vetëm vuajtje dhe padrejtësi?
Si mund t’i kërkoj të pranojë kujdesin e atyre institucioneve, kur ai ndihet i tradhtuar pikërisht nga drejtësia që duhej ta mbronte?
U ndjeva aq e pafuqishme përballë kësaj fuqie ndërkombëtare kaq të padrejtë.
“Ne jemi këtu, Babi. Të duam të fortë, të duam të shëndetshëm.”
Kaq pata fuqi t’i them.
Dënimi i Babit nuk është një gabim që pret të korrigjohet. Është një padrejtësi!
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



