“Jam në klubin më të mirë në botë, nuk kam presion” – Lamine Yamal pas rinovimit dhe numrit 10
Pas zyrtarizimit të rinovimit të kontratës deri në vitin 2031 dhe marrjes së fanellës me numrin 10, Lamine Yamal ka dhënë deklaratën e tij të parë si lojtari që do të trashëgojë një nga numrat më të rëndë në historinë e Barcelonës. I qetë, i përqendruar dhe me këmbë në tokë, ylli 18-vjeçar ndau emocionet […]

Pas zyrtarizimit të rinovimit të kontratës deri në vitin 2031 dhe marrjes së fanellës me numrin 10, Lamine Yamal ka dhënë deklaratën e tij të parë si lojtari që do të trashëgojë një nga numrat më të rëndë në historinë e Barcelonës.
I qetë, i përqendruar dhe me këmbë në tokë, ylli 18-vjeçar ndau emocionet dhe ambiciet e tij për të ardhmen.
Yamal theksoi se gjithçka që po i ndodh sot është vazhdim i një ëndrre që ka nisur që kur ishte fëmijë. Tashmë jo vetëm që ka debutuar për ekipin e parë, por edhe mban numrin më të rëndësishëm te Barça.
“Të debutoja me Barcelonën ka qenë ëndrra ime. Tani mbaj fanellën me numrin 10 – një ëndërr për çdo fëmijë që rritet në këtë qytet. Jam thellësisht mirënjohës ndaj klubit që ka besuar tek unë”, deklaroi fillimisht ai.
Në vend që të ndjejë presion nga pritjet e larta, Yamal thotë se rinovimi i kontratës është një motivim i madh për të vazhduar të rritet brenda klubit që e ka formuar.
“Ky rinovim është një hap i madh për mua – është fillimi i një rruge që shpresoj të zgjasë shumë. Dua ta shijoj më shumë se sezonin e kaluar dhe të jap maksimumin tim. Nuk ndjej presion – përkundrazi, jam në klubin më të mirë në botë”, nënvizoi ai.
Duke folur për të ardhmen, Yamal është i qartë për atë që synon të arrijë në nivel klubesh dhe kombëtareje.
“Dua të fitoj Championsin dhe Kupën e Botës – janë dy nga titujt që më mungojnë dhe janë motivimi im kryesor. Kemi një skuadër të re dhe objektivi ynë është të vazhdojmë të rritemi dhe të arrijmë atë që nuk kemi fituar ende”, ka thënë Yamal.
Fanella me numrin 10 bart peshë historike në Barcelonë – nga Maradona, Ronaldinho, deri te Messi. Yamal e di mirë këtë dhe ka respekt të madh për ata që e kanë mbajtur më parë.
“Do të kisha dashur të merrja gjithçka nga Messi – ai ende po luan dhe është shembull për të gjithë. Edhe Ronaldinho dhe Maradona ishin të jashtëzakonshëm. Do të përpiqem ta çoj përpara trashëgiminë e tyre. Messi bëri rrugën e tij, unë dua të bëj timen. Ky numër më erdhi nga Ansu, dhe tani është radha ime të jap më të mirën”, shtoi spanjolli i ri.
I pyetur për presionin mediatik, lavdërimet dhe kritikat që vijnë në moshë kaq të re, Yamal ishte i prerë: nuk i lë gjërat jashtë fushës ta ndikojnë.
“Qoftë lëvdata apo kritikë, nëse nuk vjen nga familja ime, nuk më bën shumë përshtypje. Nuk dua të ndihem mirë kur më lavdërojnë dhe keq kur më kritikojnë – për mua, stabiliteti është i rëndësishëm”, përfundoi ai.