“Ka dalë nga shinat”, Trump kritikon ashpër Elon Musk pas shpalljes së një partie të re politike
Presidenti amerikan Donald Trump sulmoi ashpër Elon Musk të dielën mbrëma, duke e përshkruar si të “dalë nga shinat”, pas deklaratës së miliarderit se është në proces të krijimit të një partie të re politike, në mes të një përçarjeje të thelluar mes tyre. “Jam i trishtuar ta shoh Elon Musk të shkojë plotësisht ‘jashtë [...]Read More...

Presidenti amerikan Donald Trump sulmoi ashpër Elon Musk të dielën mbrëma, duke e përshkruar si të “dalë nga shinat”, pas deklaratës së miliarderit se është në proces të krijimit të një partie të re politike, në mes të një përçarjeje të thelluar mes tyre.
“Jam i trishtuar ta shoh Elon Musk të shkojë plotësisht ‘jashtë kontrollit’, duke u kthyer në një aksident të vërtetë trenash gjatë pesë javëve të fundit,” shkroi Trump në rrjetin e tij social Truth Social. “Tani ai po përpiqet të krijojë një Parti të Tretë Politike, edhe pse asnjëherë më parë këto parti nuk kanë pasur sukses në Shtetet e Bashkuara.”
Nisma e Musk për të krijuar një forcë të re politike, të quajtur “Partia Amerika”, është përshkruar si pika më e fundit e ndarjes së tij me Trumpin. Musk, aktualisht njeriu më i pasur në botë, kishte dhuruar qindra miliona dollarë për fushatën presidenciale të Trump, dhe në këmbim kishte marrë një rol të gjerë në administratën e tij, që përfshinte shkurtimin masiv të stafit shtetëror dhe kontratave qeveritare.
Megjithatë, marrëdhënia e tyre u përkeqësua publikisht muajin e kaluar, kur Trump arriti të kalojë në Kongres një ligj të gjerë për politikën e brendshme. Musk kritikoi ashpër ligjin, që pritet të rrisë borxhin federal me triliona dollarë, duke e quajtur “një neveri të turpshme”. Ai gjithashtu deklaroi se do të mbështeste kundërshtarë republikanë në zgjedhjet paraprake kundër çdo ligjvënësi që votoi pro ligjit, i cili u miratua pothuajse me mbështetje unanime nga republikanët. Megjithatë, Musk ka dhënë pak detaje konkrete për partinë e tij të re politike.
“Mbështetja për një kandidat presidencial nuk përjashtohet, por fokusi për 12 muajt e ardhshëm do të jetë tek Dhomat e Kongresit,” shkroi Musk në platformën X të dielën.
Në reagim, Trump ka kërcënuar se do të shkurtojë miliarda dollarë në kontrata federale dhe subvencione tatimore për kompanitë e Musk. Sipas tij, kundërshtimi i Musk ndaj ligjit të ri ka ardhur për shkak se ai përmban eliminimin e detyrimit për përdorimin e automjeteve elektrike një përfitim i drejtpërdrejtë për kompaninë Tesla.
“Kam folur për këtë për më shumë se dy vjet dhe, për të qenë i sinqertë, kur Elon më dha mbështetjen e tij të plotë dhe pa kushte, e pyeta nëse ishte në dijeni që unë do të hiqja mandatin për makinat elektrike. Ishte në çdo fjalim dhe çdo bisedë. Ai më tha se nuk kishte problem me këtë, u befasova shumë!”, shkroi Trump.
Ndërsa më herët Musk kishte shprehur mbështetje për përfundimin e subvencioneve për automjetet elektrike, ai duket se ka ndryshuar qëndrim kohët e fundit, pas rënies së shitjeve të Tesla-s këtë vit.
Trump gjithashtu tha se Musk ishte zemëruar për vendimin e tij për të tërhequr kandidaturën e Jared Isaacman një mik i ngushtë i Musk dhe astronaut në misionet e SpaceX, për të udhëhequr NASA-n. Sipas burimeve nga Shtëpia e Bardhë, kjo tërheqje erdhi pasi doli në pah se Isaacman kishte dhuruar më parë fonde për figura të njohura të Partisë Demokratike.
Isaacman ishte takuar me Trump gjatë tranzicionit dhe kishte bërë publike donacionet përpara nominimit, por marrëdhëniet gjithnjë e më të tensionuara mes Musk dhe Trumpit bënë që një zyrtar i lartë të rikujtonte donacionet, duke nxitur tërheqjen e kandidaturës.
Trump dha një arsye shtesë për vendimin e tij: “Mendova gjithashtu se nuk ishte e përshtatshme që një mik i afërt i Elonit, që vepron në industrinë hapësinore, të drejtonte NASA-n, kur NASA është pjesë kaq e madhe e interesave të tij korporative.”
Ndërkohë, Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, tha të dielën në CNN se përpjekjet e Musk për të ulur shpenzimet e qeverisë përmes Departamentit për Efikasitetin Qeveritar ishin të mirëpritura nga publiku, por jo vetë Musk.
“Besoj se bordet drejtues të kompanive të tij duan që ai të kthehet dhe të fokusohet te menaxhimi i tyre, për të cilin është i pakrahasueshëm,” tha Bessent. “Nuk besoj se e përkrahën njoftimin e tij për përfshirje politike dhe me shumë gjasë do ta inkurajojnë të përqendrohet te bizneset e tij, jo politika.”/abcnews.al