Katër talentë me prejardhje nga Kosova shkëlqejnë në derbin e Mynihut

Katër futbollistë të rinj me prejardhje nga Kosova kanë qenë pjesë e derbit të Mynihut në kategorinë U19, në përballjen mes TSV 1860 München dhe FC Bayern München, transmeton albinfo.ch.
Për praninë e tyre në këtë ndeshje ka bërë të ditur edhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, i cili ka ndarë në rrjetet sociale fotografi nga përballja dhe ka shprehur krenarinë për katër talentët e rinj.
“Krenari e veçantë të shihja nga afër katër talentë të jashtëzakonshëm”, ka shkruar Ajeti, duke përmendur Erblin Osmanin, Skender Nurajn, Jahi Osmanin dhe Edon Krasniqin.
Katër të rinjtë janë pjesë e dy prej klubeve të njohura të futbollit gjerman dhe po zhvillojnë karrierën e tyre në një prej sistemeve më konkurruese të futbollit në Evropë.
Pjesëmarrja në një përballje të tillë, e cila ka një traditë të gjatë në futbollin e Mynihut, përbën një tjetër mundësi të rëndësishme për zhvillimin e tyre dhe për të fituar përvojë në nivele të larta të futbollit të moshave.
Erblin Osmani, Skender Nuraj, Jahi Osmani dhe Edon Krasniqi janë pjesë e gjeneratës së re të futbollistëve me prejardhje nga Kosova që po rriten dhe zhvillohen në Gjermani.
Rrugëtimi i tyre në akademitë gjermane pritet të ndiqet me interes, ndërsa paraqitjet në nivelet e të rinjve mund të jenë një hap i rëndësishëm drejt kalimit në nivelet profesionale.
Talente të tilla janë edhe një dëshmi e potencialit të madh që vazhdojnë të tregojnë të rinjtë me prejardhje nga Kosova në diasporë, veçanërisht në Gjermani, ku futbolli i moshave ofron mundësi të shumta për zhvillim dhe avancim profesional./Albinfo.ch
The post Katër talentë me prejardhje nga Kosova shkëlqejnë në derbin e Mynihut appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



