Kërkesa e madhe për koncertin e Rame Lahajt në Düsseldorf, dalin në shitje bileta shtesë

Interesimi i madh për koncertin e Rame Lahajt në Düsseldorf të Gjermanisë ka bërë që organizatorët të vënë në dispozicion edhe disa bileta shtesë për publikun që dëshiron të marrë pjesë në këtë ngjarje muzikore, transmeton albinfo.ch.
Tenori kosovar me famë ndërkombëtare do të ngjitet në skenë më 30 tetor 2026, në orën 20:30, në Robert-Schumann-Saal, si pjesë e turneut “Passion & Origin”. Përmes këtij projekti, Lahaj sjell një program muzikor që ndërthur muzikën shqiptare me repertorin operistik ndërkombëtar.
Lajmin për biletat shtesë e ka bërë të ditur vetë artisti përmes një postimi në Facebook, ku ka shprehur kënaqësinë për interesimin e publikut dhe ka ftuar të pranishmit të bëhen pjesë e koncertit.
“Për shkak të kërkesës së madhe për koncertin e Düsseldorf-it, tash janë në dispozicion edhe disa bileta shtesë! Mezi pres me ju pa!”, ka shkruar Lahaj.
Turneu “Passion & Origin” nisi më 10 tetor në Cyrih të Zvicrës, ndërsa pas paraqitjes në Düsseldorf, artisti do të vazhdojë me koncerte në qytete të tjera ndërkombëtare.
Pas Gjermanisë, Lahaj do të performojë më 8 nëntor në Wiener Konzerthaus, në Vjenë, ndërsa më 13 dhjetor do të mbajë koncert në Bluma Appel Theatre, në Toronto të Kanadasë.
Të interesuarit mund t’i gjejnë biletat për koncertin në Düsseldorf përmes faqes zyrtare të artistit, www.ramelahaj.com./Albinfo.ch
The post Kërkesa e madhe për koncertin e Rame Lahajt në Düsseldorf, dalin në shitje bileta shtesë appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



