Mali i Zi kërkon të zgjidhë mosmarrëveshjet me Kroacinë, përpara anëtarësimit në BE

Mali i Zi ka ndërmarrë hapa për të zgjidhur mosmarrëveshjet me Kroacinë, të cilat mund të pengojnë ambicien e Podgoricës për t’u bërë anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028.
Javën e kaluar, Zagrebi u shpërndau vendeve të tjera anëtare të BE-së një listë me tetë pika, ku renditen çështjet që kërkon të zgjidhen përpara se Mali i Zi të anëtarësohet në bllok. Shumica e mosmarrëveshjeve lidhen me ngjarje dhe pasoja të luftërave ballkanike të viteve 1990.
Kryeministri kroat, Andrej Plenković, deklaroi se vendi i tij i ka ngritur këto shqetësime prej vitesh, por sipas tij, gjatë dy viteve të fundit nuk është shënuar përparim i mjaftueshëm.
“Ka çështje që ua kemi sinjalizuar fqinjëve tanë malazezë për vite me radhë. Në dy vitet e fundit, nuk ka pasur asnjë përparim”, u shpreh Plenković, duke theksuar se Kroacia ka qenë konstruktive në bisedimet për anëtarësimin e Malit të Zi.
Megjithatë, Podgorica ka ndërmarrë hapa për të adresuar disa prej kërkesave të Zagrebit. Javën e kaluar, parlamenti malazez miratoi legjislacion për mbrojtjen e vendeve historike, një vendim që synon të përmbushë kërkesën e Kroacisë për ruajtjen e një pllake përkujtimore kushtuar viktimave kroate të kampit të paraburgimit Morinj.
Kampi, i cili drejtohej nga Ushtria Popullore Jugosllave gjatë luftërave të viteve 1990, mbetet një nga çështjet e ndjeshme në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Zgjidhja e këtyre mosmarrëveshjeve pritet të ketë rëndësi për ecurinë e negociatave të anëtarësimit të Malit të Zi në BE. Edhe pse Podgorica synon të përfundojë procesin deri në vitin 2028, çështjet e pazgjidhura me Kroacinë mund të ndikojnë në përmbushjen e këtij objektivi.
The post Mali i Zi kërkon të zgjidhë mosmarrëveshjet me Kroacinë, përpara anëtarësimit në BE appeared first on Euronews Albania.
Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



