“Kino Kosova” në Bernë, një festival në kërkim të perspektivave të reja

Festivali i filmit “Kino Kosova” ka hapur mbrëmë edicionin e tij të shtatë, në Bernë. Një festival që prezanton një kinematografi “të huaj”, në një vend tjetër, si Zvicra, me vetë organizimin për kaq vite dëshmon vullnet dhe vitalitet të madh të bartësve të tij. Ndërsa niveli i përzgjedhjes së filmave, kompetenca në këtë pikë janë garanci për një qëndrueshmëri dhe krijim të një tradite të suksesshme të festivalit.
Programi i hapjes ka mbledhur një numër të madh shikuesish në sallën e madhe të mbushur përplot të kompleksit alternativ kulturor “Progr” të Bernës. Një pjesë e konsiderueshme e publikut vinte komuniteti i këtushëm shqiptar por për dallim nga aktivitetet tjera, bëhet fjalë për një brez të ri, të shkolluar dhe të integruar në Zvicër, i cili ishte mbizotërues në këtë publik. Pas tyre ose krahas, vijnë zviceranë, dashamirës të filmit e të kulturës, të interesuar për të njohur më mirë kulturën respektivisht filmin e Kosovës.
Rreth tridhjetë të rinj, shqiptarë të brezit të dytë e të tretë dhe miq të tyre zviceranë, me punën e tyre vullnetare, po japin kontribut të madh në mbarëvajtjen e festivalit dhe po krijojnë kështu një traditë të bukur të punës në këtë fushë.
Platforma mediale albinfo.ch është partner medial i festivalit.
Në fjalën e saj të hapjes Aleksandra Hiltmann, përgjegjëse për komunikim në kuadër të stafit të festivalit, ka përshëndetur praninë e përfaqësuesve të ambasadave të Kosovës, Portugalisë dhe Koresë së Jugut, prani që tregon vlerësimin e përfaqësive përkatëse diplomatike për kulturën dhe këmbimet ndërkulturore.
Pastaj fjalën e ka marrë drejtori dhe themeluesi i festivalit, Sabahet Meta. Ai ka theksuar se në idenë e tij ky festival nuk ka qenë asnjëherë një garë mes filmash që do të vendoste se cili është filmi më i mirë. Festivali është në radhë të parë një mjedis që do të shërbejë për dialog, për këmbim të ideve, për të zbuluar perspektiva të reja dhe për të lidhur miqësi, ka nënvizuar ai.
Meta ka falënderuar të gjithë ata që po bëjnë të mundur mbajtjen dhe ngritjen e festivalit, si sponsorët dhe subjektet tjerë, përfshirë këtu edhe platformën medniale albinfo.ch si partnere mediale. Ai ka përmendur këtu edhe festivalin Dokufest të Kosovës për bashkëpunimin nga i cili ka lindur, veç të tjerash edhe projekti Connect, që mundëson trajnimin në fushë të kinematografisë të një numri të të rinjve, kryesisht shqiptarë nga diaspora.
Meta në vazhdim ka zbërthyer moton e këtij edicioni “Where Is Everybody?” – “Ku janë të gjithë? Kjo pyetje frymëzohet nga i ashtuquajturi “Paradoksi i Fermit” , i cili shtron pyetjen se si është e mundur që një univers kaq i madh, i lashtë dhe me kaq shumë mundësi për jetë inteligjente të duket kaq i heshtur.
Festivali e “zbret” këtë pyetje nga hapësira, kozmosi, në realitetin tonë të përditshëm. Në një botë të përballur me padrejtësi, konflikte, pabarazi dhe vuajtje, lind një pyetje e ngjashme: Ku janë të gjithë? Si është e mundur që kaq shumë padrejtësi të ndodhin kaq lehtë, në heshtje dhe vazhdimisht, ndërkohë që shumë njerëz mbeten vetëm vëzhgues pasivë?
Një mysafire jotipike: Koreja e Jugut
Në vazhdim, Meta ka shpjeguar përcaktimin e stafit të festivaloit për të marrë pikërisht Korenë e Jugut si shtet mysafir. Në vitet e kaluara në këtë rol kanë qenë vende që në një mënyrë ose tjetër janë më afër Kosovës dhe Zvicrës, si Bosnjë e Hercegovina, Greqia ose Portugalia. Por këtë vit është një vend i largët dhe pothuaj i panjohur: Koreja e Jugut. Përse?
“Mes Kosovës dhe Koresë së Jugut nuk ekziston ndonjë lidhje e drejtpërdrejtë kulturore apo një histori e përbashkët migrimi në Zvicër. Pikërisht për këtë arsye, festivali synon të krijojë një lidhje të re përmes kinemasë. Sepse, pavarësisht dallimeve të mëdha mes Kosovës, Koresë së Jugut dhe Zvicrës, kinematografitë e këtyre vendeve trajtojnë tema që kanë shumë pika të përbashkëta…”, ka thënë Meta në vazhdim.
Para fillimit të shfaqjes së filmave janë prezantuar përfaqësuesit e kinematografisë së Koresë së Jugut, Kim Young-woo dhe Kim Donghyun nga “Seoul Independent Film Festival” (SIFF). Ata kanë folur për traditën kinematografike të vendit të tyre, për festivalin të cilin e drejtojnë, për specifikat e filmit koreanojugor etj.
Filmat e shfaqur
Në vazhdim janë shfaqur katër filma zhanresh dhe metrazhesh të ndryshme, dy prej tyre ng Kosova, një nga Zvicra dhe një tjetër nga vendi mysafir, Koreja e Jugut.
Filmi i regjisorit Alban Muja “Unë besoj se portreti më shpëtoi” rrëfen një eksperincë interesante dhe prekëse nga lufta e fundit në Kosovë. Njëzet e pesë vjet pas rrëmbimit të tij gjatë Luftës, piktori Skender Muja rrëfen historinë e jashtëzakonshme të mbijetesës. Atë dhe grupin e shqiptarëve të rrëmbyer nga soldateska serbe i ka shpëtuar pikërisht portreti që ai i ka vizatuar (me detyrim) komandantit serb, i cili i kishte rrëmbyer. Filmi ndërthur kujtimet e Mujës me skena të riprodhuara dhe reflekton mbi fuqinë transformuese të artit – si një mjet mbijetese edhe në kushtet më shtypëse.
Filmi SOS nga Anita Morina merr subjektin e tij nga një stacion i largët hekurudhor në Kosovë. Drini 30-vjeçar jeton një jetë të vetmuar dhe rutinë, duke regjistruar trenat dhe duke mbajtur kontakt me të dashurën e tij, online. Por kur puna e tij zëvendësohet papritur nga një pajisje radari, Drini zhytet në një krizë ekzistenciale. I humbur dhe jashtë vetes, ai duhet të përballet me pyetjen se çfarë dëshiron vërtet në jetë.
Filmi “Buen Vivir – Ñutse Canseye” (Jetë e Mirë) bashkëprodhim i Zvicrës dhe Ekuadorit me regji të Zoé Nathalie Kugler bën fjalë për ambientin dhe pasojat e shkatërrimit të tij, diku në Amazonë.
Toka dhe ujërat e një parajse natyrore po kontaminohen nga nxjerrja e naftës në Amazonë. Një proces i ngadaltë që kërcënon shëndetin dhe kulturën tradicionale të komuniteteve lokale. Trembëdhjetë gra ngrenë zërin kundër shkatërrimit të atdheut të tyre. Me protesta dhe rezistencë të heshtur, ato përballen me një strukturë të errët globale të pushtetit. Për ata që luftojnë. Për të drejtat e tyre. Për kulturën e tyre. Dhe për një jetë me dinjitet.
Filmi “Route 7” është një pasqyrim interesant dhe prekës i jetës së koreanëve të Jugut. Young-ho, një korean që jeton në Japoni, vendos të mbyllë sallonin e pachinkos që e ka drejtuar me nënën e tij, Kyung-ja, për 50 vjet në Rrugën Kombëtare 7 në Akita. Për të festuar daljen e saj në pension, ai e fton atë në një udhëtim jashtë vendit, por ajo dëshiron të shkojë në Niigata. Në port, ai e kupton se çfarë domethënie ka ky vend për të: tezja e tij, Soon-ja, ishte larguar që andej gjatë riatdhesimit masiv në Korenë e Veriut. Pas vdekjes së Kyung-ja, Young-ho gjen një letër nga Koreja e Veriut. Kur vajza e tij, Nana, e viziton, të dy nisen për një udhëtim përgjatë Rrugës 7 të Koresë së Jugut…
Festivli “KinoKosova” vazhdon sot me ditën e dytë të tij, me ç` rast do të shfaqen një numër më i madh filmash, në orare dhe kinema të ndryshme. Në program janë tre filma shqip nga Kosova dhe tre të tjerë nga vendi mysafir, Koreja e Jugut.
Filmi i gjatë 99 minuta “Odiseja e gëzimit” (Odyssey of joy” i regjisorit Zgjim Terziqi shfaqet me fillim në orën 18.00 dhe pas tij do të ketë edhe bashkëbisedim me autorin (Q&A). Nga ora 20 e 15 do të shfaqen edhe filmat “One woman Film” nga Anita Morina dhe “Lord of the house” nga Daniëlle Bremer.
Duke filluar nga ora 22.00 do të shfaqen edhe tre filma ng Koreja e Jugut.
The post “Kino Kosova” në Bernë, një festival në kërkim të perspektivave të reja appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



