Kosova dhe Maqedonia do ta rikthejnë linjën hekurudhore

Kosova dhe Maqedonia do ta rikthejnë linjën hekurudhore

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolloski, i shoqëruar nga zëvendësministrja Kaltrina Zekolli, ka zhvilluar sot një takim zyrtar me ministrin e Infrastrukturës dhe Transportit të Kosovës, Dimal Basha, ku është diskutuar mbi thellimin e bashkëpunimit bilateral dhe realizimin e projekteve strategike të përbashkëta, përcjell INA.

Në qendër të vëmendjes gjatë bisedimeve ka qenë projekti i rëndësishëm për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren. Sipas Ministrisë së Transportit, grupet e punës të të dyja shteteve do të vazhdojnë aktivitetet intensive për finalizimin e plotë të projektit, pas së cilës pritet formalizimi përmes nënshkrimit të marrëveshjeve ndërshtetërore për nisjen e punimeve në terren.

Përveç aksit rrugor që lidh dy anët e Sharrit, palët kanë shqyrtuar edhe ecurinë e punimeve për autostradën Shkup-Bllacë, si dhe mundësitë konkrete për rikthimin e komunikacionit hekurudhor.

Një nga propozimet kyçe në këtë fushë ishte vendosja e sistemit “one stop shop”, përkatësisht krijimi i një pike të përbashkët kufitare hekurudhore, e cila do të thjeshtojë ndjeshëm procedurat doganore dhe do të përshpejtojë lëvizjen e mallrave dhe udhëtarëve.

Ministrat kanë vlerësuar se këto nisma infrastrukturore përfaqësojnë një shtytës kryesor për rritjen e tregtisë dypalëshe, tërheqjen e investimeve të reja dhe përmirësimin e përgjithshëm të lidhjes rajonale, duke sjellë përfitime direkte për qytetarët e të dyja vendeve.(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.