Kosova me 32 sportistë në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj

Me një delegacion prej 32 sportistësh, Kosova do të marrë pjesë në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj, që mbahet nga 20 deri më 26 korrik në Shkup, duke shënuar kështu pjesëmarrjen më të madhe ndonjëherë në këtë ngjarje madhore sportive për grupmoshën 14-18 vjeç, transmeton albinfo.ch. Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), që zyrtarizoi listën […] The post Kosova me 32 sportistë në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj appeared first on Albinfo.

Kosova me 32 sportistë në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj

Me një delegacion prej 32 sportistësh, Kosova do të marrë pjesë në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj, që mbahet nga 20 deri më 26 korrik në Shkup, duke shënuar kështu pjesëmarrjen më të madhe ndonjëherë në këtë ngjarje madhore sportive për grupmoshën 14-18 vjeç, transmeton albinfo.ch.

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), që zyrtarizoi listën të martën, bëri të ditur se sportistët kosovarë do të garojnë në nëntë disiplina sportive: xhudo, atletikë, çiklizëm, gjimnastikë, taekwondo, badminton, not, pingpong dhe shenjëtari.

Nga gjithsej 32 sportistë, 18 janë vajza dhe 14 djem, të cilët synojnë të përfaqësojnë me dinjitet ngjyrat e Kosovës në këtë festival që konsiderohet si gara kryesore vjetore për të rinjtë në nivel evropian.

Kosova do të marrë pjesë për herë të gjashtë në këtë festival që organizohet çdo dy vjet nga Komiteti Olimpik Evropian. Debutimi i Kosovës ka ndodhur në Tbilisi më 2015, ndërsa deri më tani ka fituar një medalje, atë të artë nga atleti Muhamet Ramadani në hedhje të gjyles në edicionin “Baku 2019”.

Këtë herë, shpresat më të mëdha për sukses janë të vendosura te xhudistët, një sport që tradicionalisht ka sjellë medalje për Kosovën në ngjarje të tjera ndërkombëtare, por ende jo në këtë festival. Blerina Gashi, Sidorela Dodaj, Enise Zijade, Riad Kasapi, Milot Gashi dhe Roni Reshitaj janë emrat që do ta përfaqësojnë Kosovën në xhudo, transmeton albinfo.ch.

Në atletikë do të garojnë Medina Fejza, Erisë Avdullahu, Lorina Kadriu, Amar Maxhuni, Luan Mazrekaj, Bardh Telaku dhe Ledion Fetahaj, ndërsa në badminton janë përzgjedhur Tringa Ibraj dhe Dionis Morina. Në çiklizëm do të konkurrojë Dion Bytyqi.

Përvojë të rëndësishme ndërkombëtare pritet të fitojnë edhe Sara Pllana, Rea Berisha dhe Bora Hoti në gjimnastikë, ndërsa Joana Jasiqi, Riga Kastrati, Lea Selmani, Dior Krasniqi dhe Nart Bakiu do të garojnë në disiplinat e notit.

Në pingpong, përfaqësues do të jenë Amant Sejdiu dhe Jona Hashani, ndërsa Dhurata Ibrahimi do të jetë pjesëmarrëse në shenjëtari. Në taekwondo, ngjyrat e Kosovës do t’i mbrojnë Bled Tufa, Arian Selimi, Alina Azemi, Resa Gashi dhe Imarah Vizdiklar.

Kjo është hera e parë që Kosova dërgon më shumë se 19 sportistë, çka dëshmon rritjen dhe angazhimin e vazhdueshëm në zhvillimin e sportit të të rinjve.

Edicioni i 18-të i Festivalit Olimpik Evropian Veror për të Rinj këtë vit përfshin mijëra sportistë nga 49 shtete të Evropës, me garat që do të zhvillohen në Shkup, Kumanovë, ndërsa ato të gjimnastikës do të mbahen në Osijek të Kroacisë, transmeton albinfo.ch.

The post Kosova me 32 sportistë në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj appeared first on Albinfo.