Kriza e kostos së jetesës nxit protesta në Evropë, Zvicra më pak e prekur

Protestat kundër rritjes së çmimeve, krizës së banesave dhe rënies së fuqisë blerëse po përhapen në disa vende evropiane, përfshirë Italinë, Spanjën dhe Portugalinë. Ndërkohë, në Zvicër, situata ekonomike mbetet dukshëm më e favorshme, sipas ekonomistit Michel Girardin.
Në Itali, protestat nisën në Milano, ku studentët kundërshtuan kostot e larta të banesave studentore. Demonstratat u shoqëruan edhe me akte vandalizmi, ndërsa kryeministrja Giorgia Meloni njoftoi vendosjen e 500 ushtarëve në qytet deri në fund të vitit, në mbështetje të policisë.
Në Spanjë, pakënaqësia qytetare lidhet kryesisht me rritjen e qirave dhe mungesën e banesave të përballueshme. Ndërsa në Portugali, protestuesit kërkojnë më shumë banesa publike dhe paga më të mira. Sipas një studimi të cituar nga transmetuesi zviceran RTS, afro një në tre portugezë rrezikon të bjerë në varfëri pasi të paguajë shpenzimet e banimit.
Edhe në Zvicër, organizata të të rinjve kanë bërë thirrje për protesta. Megjithatë, ekonomisti Michel Girardin vlerëson se fuqia blerëse në këtë vend është në gjendje më të mirë se në vendet fqinje.
Sipas tij, paga bruto mediane në Zvicër ka kaluar 7.000 franga, por inflacioni prej 6,8 për qind gjatë pesë viteve të fundit ka tejkaluar paksa rritjen e pagave. Kjo ka sjellë një rënie të lehtë të pagës reale, por, sipas ekonomistit, të ardhurat e disponueshme mbeten dukshëm më të larta se në shumë vende të tjera evropiane.
Girardin vuri në dukje gjithashtu dallimet në nivelin e borxhit publik, duke e krahasuar borxhin e Francës, që sipas tij i afrohet 119 për qind të PBB-së, me atë të Zvicrës, rreth 24 për qind.
Ndërkohë, pas trazirave në Francë, disa shtete u kanë rekomanduar qytetarëve të tyre të tregojnë kujdes dhe të shmangin tubimet. Megjithatë, udhëtimet drejt Parisit po vazhdojnë dhe Hekurudhat Federale Zvicerane nuk kanë raportuar anulime masive.
The post Kriza e kostos së jetesës nxit protesta në Evropë, Zvicra më pak e prekur appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



