Nga kriza për presidentin te Grenelli e vendimi i Hagës, Serwer: Mund të ketë paqëndrueshmëri, nevojitet maturi

Kosova po hyn në një fazë të re politike pas formimit të Qeverisë Kurti 4, por përballë saj mbeten një sërë sfidash të rëndësishme, nga çështja e zgjedhjes së presidentit dhe përçarjet brenda LDK-së, deri te marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Në këtë situatë, vëmendje të veçantë pritet të marrë edhe vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i cili mund të ndikojë në atmosferën politike dhe shoqërore në Kosovë.
Në një intervistë për “Bota sot”, eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, vlerëson se prioriteti i Kosovës në politikën e jashtme duhet të jetë përgatitja për anëtarësim në NATO në vitin 2028 dhe më pas për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Serwer thotë se marrëveshja LVV-LDK për Bekim Sejdiun mund të rrezikohet nga kundërshtimi i gjashtë deputetëve të LDK-së, ndërsa paralajmëron se një tjetër proces zgjedhor nuk do të ishte zgjidhja më e mirë.
Ai shprehet kritik ndaj ndërhyrjes së Richard Grenellit në zhvillimet politike në Kosovë, duke thënë se ai nuk është pjesë e administratës amerikane. Serwer gjithashtu thekson nevojën për përmirësimin e marrëdhënieve të Kosovës me SHBA-në dhe BE-në, ndërsa për vendimin e Hagës apelon për reagime të moderuara dhe paqësore, pavarësisht rezultatit.
Intervista e plotë:
Bota sot: Kosova tani ka një qeveri të re të udhëhequr nga Albin Kurti. Si e vlerësoni situatën politike pas formimit të Qeverisë Kurti 4 dhe cila duhet të jetë prioriteti kryesor i saj për të garantuar stabilitetin politik dhe institucional?
Daniel Serwer: Nuk do të doja të komentoja për prioritetet e brendshme, por sa i përket politikës së jashtme, mendoj se prioriteti kryesor dhe më i afërt është që Kosova, Ministria e Mbrojtjes dhe ushtria e saj të jenë të gatshme për anëtarësim në NATO në vitin 2028. Përtej kësaj, Prishtina duhet të përgatitet me seriozitet për anëtarësimin në BE. Pavarësisht se asnjëra prej tyre nuk ka gjasa të ndodhë menjëherë, janë pikërisht përgatitjet ato që janë të rëndësishme tani.
Bota sot: Marrëveshja mes LVV-së dhe LDK-së për mbështetjen e Bekim Sejdiut për president është kundërshtuar nga gjashtë deputetë të LDK-së. A besoni se kjo përçarje e brendshme mund ta rrezikojë marrëveshjen dhe sa serioze mund të jenë pasojat për stabilitetin institucional të Kosovës?
Daniel Serwer: Supozoj se kjo e rrezikon marrëveshjen. Nuk mendoj se këtu bëhet fjalë për paqëndrueshmëri institucionale, por gjithashtu nuk mendoj se një zgjedhje e re do të ishte ide e mirë.
Bota sot: A duhet kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ta konsiderojë kundërshtimin e gjashtë deputetëve si çështje të brendshme të partisë, apo qëndrimi i tyre mund të ketë pasoja më të gjera për funksionimin e institucioneve të Kosovës?
Daniel Serwer: Është e qartë se ka pasoja më të gjera. Shpresoj që në një mënyrë apo tjetër të gjenden votat për ta bërë Sejdiun president, jo për shkak të personit të tij, por sepse ka ardhur koha që Kosova t’i rikthehet punës serioze të qeverisjes.
Bota sot: Richard Grenell ka shprehur publikisht mbështetje për gjashtë deputetët e LDK-së që kundërshtojnë marrëveshjen. Sa domethënëse është kjo ndërhyrje dhe a mund të interpretohet ajo si një mesazh politik ndaj udhëheqjes aktuale të Kosovës?
Daniel Serwer: Me sa jam në dijeni, Richard Grenell nuk është pjesë e administratës amerikane. Historia e tij sugjeron se çdo gjë që ai thotë nuk është në të mirë të Kosovës.
Bota sot: Nëse marrëveshja LVV-LDK për presidencën dështon për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme, sa reale është mundësia që Kosova të shkojë sërish në zgjedhje dhe çfarë do të nënkuptonte një tjetër cikël zgjedhor për vendin?
Daniel Serwer: Nëse marrëveshja dështon dhe nuk zëvendësohet në njëfarë mënyre me një propozim tjetër, supozoj se zgjedhjet e reja do të jenë të pashmangshme. Por qytetarët janë qartazi të lodhur nga shkuarja në zgjedhje dhe duan ta shohin qeverinë duke qeverisur.
Bota sot: A mendoni se përplasja aktuale mes LVV-së, LDK-së dhe opozitës po e zhvendos vëmendjen politike të Kosovës nga çështjet strategjike, si marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, si dhe dialogu me Serbinë?
Daniel Serwer: Po, mendoj se pikërisht këtë po e bën. Nuk jam aq i shqetësuar për dialogun me Serbinë, pasi dyshoj se ai do të çojë diku me Aleksandar Vuçiqin. Por marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në kanë nevojë për riparim dhe përkushtim të vazhdueshëm.
Bota sot: Vendimi në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pritet së shpejti. Sa i rëndësishëm mund të jetë ky vendim për skenën politike dhe shoqërinë në Kosovë?
Daniel Serwer: Natyrisht, vendimet do të jenë të rëndësishme për shumë njerëz në Kosovë. Pres që disa njerëz të jenë të kënaqur, ndërsa të tjerë të jenë të mërzitur. Gjëja e rëndësishme është që të gjitha reagimet duhet të jenë të moderuara dhe pa dhunë. Kosova nuk ka zgjidhje tjetër veçse t’i pranojë vendimet. Duhet ta bëjë këtë duke treguar sjelljen e saj më të qytetëruar, qoftë në protestë apo në festim. Kjo vlen si për shqiptarët, ashtu edhe për serbët.
Bota sot: Nëse ish-krerët e UÇK-së shpallen të pafajshëm, a mund të ketë kjo ndikim të drejtpërdrejtë në balancën politike në Kosovë, veçanërisht te Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe opozita? Dhe cilat mund të jenë pasojat politike nëse vendimi është dënues?
Daniel Serwer: Është e vështirë të thuhet. Nuk kam ide se çfarë do të bëjnë liderët e UÇK-së nëse shpallen të pafajshëm. Ata mund të tërhiqen nga jeta publike ose të rikthehen në politikë. Kjo është zgjedhja e tyre. Kur u takova me Hashim Thaçin në burg vjeshtën e kaluar, nuk e diskutuam këtë çështje.
Nëse vendimi është dënues:
Sipas mendimit tim, dënimi dhe burgosja e mëtejshme do të ishin të padrejta dhe do të përbënin një zhgënjim të jashtëzakonshëm për shumë shqiptarë. Por, siç thashë, nuk ka zgjidhje tjetër veçse të pranohet vendimi, të kritikohet nëse dëshironi dhe të protestohet në mënyrë paqësore.
Bota sot: A mund të ndikojë vendimi i Hagës në marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët evropianë, duke pasur parasysh rëndësinë politike që ka marrë kjo çështje në Kosovë?
Daniel Serwer: Nuk mendoj se vetë vendimi do të ketë ndikim, por mënyra se si ai do të pritet në Kosovë.
Bota sot: Në përgjithësi, a mendoni se Kosova po hyn në një fazë të re politike me formimin e Qeverisë Kurti 4, apo çështja e pazgjidhur e presidencës, përçarjet brenda LDK-së dhe vendimi i Hagës mund ta çojnë vendin drejt një periudhe edhe më të paqëndrueshme?
Daniel Serwer: Sigurisht, mund të ketë paqëndrueshmëri, por Kushtetuta parashikon zgjedhjet si rrugëdalje. Sipas mendimit tim, kjo nuk do të ishte zgjidhja më e mirë, por Kushtetuta është Kushtetutë.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



