Kthimi i ligjit për Specialen nuk e ndal ligjin, por e detyron të shpjegohet

Kthimi i ligjit për Specialen nuk e ndal ligjin, por e detyron të shpjegohet

Presidentja ka kohë deri të premten. Kthimi i ligjit nuk do ta pengonte Kuvendin, por do t’i jepte Kosovës atë që i ka munguar që nga 6 tetori: një shpjegim publik.

Të premten, më 23 tetor, mbaron afati i presidentes Justina Shiroka Pula për ligjin që ndryshon Dhomat e Specializuara. Ajo mund ta shpallë, mund ta kthejë në Kuvend ose mund të mos bëjë asgjë. Në rastin e fundit, ligji konsiderohet i shpallur edhe pa dekretin e saj. Ligji e kufizon juridiksionin e Speciales në disa vepra të caktuara, ua kalon rastet e tjera institucioneve të drejtësisë në Kosovë dhe e kufizon dënimin maksimal në 15 vjet burgim.

Debati publik i ka paraqitur këto rrugë si zgjedhje mes “po”-së dhe “jo”-së. Ato nuk janë të tilla. Kthimi i ligjit nuk e rrëzon atë. Por është i vetmi veprim që e detyron Kuvendin ta rishikojë tekstin me qetësi dhe presidenten t’i shpjegojë publikut çfarë mendon.

Aritmetika që askush nuk e fsheh
Më 6 tetor, ligji kaloi me 88 vota për, pa asnjë votë kundër dhe pa abstenime. Nëse presidentja e kthen, Kuvendi mund ta miratojë sërish me shumicën e të gjithë deputetëve, pra me së paku 61 vota. Me këtë votim ligji konsiderohet i shpallur, dhe presidentja nuk mund ta kthejë për herë të dytë.

Me 88 vota në dispozicion, 61 nuk janë pengesë. Prandaj kthimi nuk duhet lexuar si përpjekje për ta varrosur ligjin. Kush e paraqet kështu, qoftë për ta lavdëruar presidenten, qoftë për ta sulmuar, e keqkupton funksionin e tij.

Mbështetësit e shpalljes së menjëhershme kanë argumentet e tyre, dhe ato nuk janë të dobëta. Ligji kaloi pa asnjë votë kundër, me votat e të gjitha partive kryesore. Kuvendi është ligjvënësi, dhe presidentja nuk është shkallë e dytë votimi. Çdo javë shtesë e zgjat pasigurinë juridike, para së gjithash për të paraburgosurit dhe familjet e tyre. Por pikërisht ky konsensus e bën kthimin pa rrezik. Nëse 88 deputetë janë të bindur, katër javë rishqyrtim nuk do t’ua ndryshojnë votën. Ndërsa ligji, që ka pasoja ndërkombëtare, do të fitonte atë që i mungon: një arsyetim.

Kjo është edhe arsyeja pse kthimi nuk duhet t’i trembë mbështetësit e ligjit. Nëse dispozitat e tyre janë të qëndrueshme, një rishqyrtim do t’i forconte. Nëse nuk janë, më mirë të dalë tani në Kuvend sesa më vonë në gjykatë.

Çfarë fitohet me kthimin
Kthimi sjell tri gjëra që ligjit i kanë munguar deri tani.

E para është arsyetimi. Kushtetuta kërkon që presidentja t’i shkruajë arsyet kur e kthen një ligj. Ligji u miratua në të njëjtën natë me zgjedhjen e saj, pas një marrëveshjeje politike dhe me procedurë të përshpejtuar. Deri më sot nuk kemi parë asnjë analizë juridike institucionale për dispozitat e reja. Një dokument i presidentes do të ishte i pari.

E dyta është koha. Sipas Eugen Cakollit nga Instituti Demokratik i Kosovës, nëse ligji kthehet, Komisioni për Legjislacion ka katër javë për ta përgatitur raportin për seancë. Këto javë mund të përdoren për të dëgjuar ekspertë, Avokatin e Popullit dhe, po, edhe partnerët evropianë, me të cilët Kosova ka detyrim të shkruar konsultimi.

E treta është mundësia e korrigjimit. Këtu ka një paqartësi. Rregullorja e vjetër e Kuvendit parashihte shprehimisht korrigjimin e dispozitave që kundërshtonte presidenti. Rregullorja aktuale, sipas Cakollit, përmend vetëm përmbysjen e vetos dhe nuk e shtjellon procedurën e ndryshimeve. Ai vlerëson se e drejta për korrigjim rrjedh natyrshëm nga vetë kuptimi i rishqyrtimit. Nëse Kuvendi do të mund vetëm ta rimiratonte ose ta rrëzonte të njëjtin tekst, rishqyrtimi do të humbiste kuptimin edhe kur problemet zgjidhen duke ndryshuar disa nene.

Interpretimi i Cakollit duket më i qëndrueshëm: një rishqyrtim pa të drejtë ndryshimi do të ishte thjesht votim i dytë për të njëjtin tekst. Megjithatë, nëse ligji kthehet, Komisioni për Legjislacion duhet ta zgjidhë këtë pyetje që në fillim. Përndryshe, debati mund të përfundojë sërish në zgjedhjen “merre ose lëre” që e prodhoi problemin.

Heshtja është rruga më e keqe
Nga tri rrugët, më e dobëta është mosveprimi. Nëse presidentja e lë afatin të kalojë, ligji hyn në fuqi pa nënshkrimin e saj, por edhe pa asnjë fjalë të saj. Ajo do t’i shmangej përgjegjësisë pa e shmangur pasojën.

Kushtetuta e parasheh këtë mundësi për të mos lejuar që një ligj të bllokohet nga mosveprimi i presidentit. Nuk e parasheh si mënyrë që një president të mos mbajë qëndrim. Për një ligj që Bashkimi Evropian e ka quajtur në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, heshtja do të lexohej si ikje.

Nëse presidentja mendon se ligji është i mirë, duhet ta shpallë dhe ta thotë hapur pse. Nëse ka dyshime, duhet ta kthejë dhe t’i shkruajë ato. Të dyja janë qëndrime. Heshtja nuk është.

Kthimi nuk është akt i jashtëzakonshëm
Bedri Hamza, i cili më 21 tetor dha dorëheqje nga kreu i PDK-së, i kishte kërkuar presidentes ta dekretojë ligjin pa vonesë dhe e kishte lidhur atë me mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Në këtë kornizë, kthimi i ligjit rrezikon të paraqitet si akt mosbesimi ndaj Kuvendit ose ndaj luftës. Historia institucionale e Kosovës tregon se nuk është i tillë. Sipas Cakollit, presidentët e Kosovës kanë kthyer për rishqyrtim të paktën tetë ligje: katër Atifete Jahjaga, dy Hashim Thaçi dhe dy Vjosa Osmani.

Njëri prej tyre, Thaçi, është sot i dënuari më i njohur i Speciales. Kur ishte president, edhe ai e përdori këtë të drejtë si pjesë të punës së zakonshme të institucioneve.

Kthimi nuk e mbyll as rrugën kushtetuese. Presidentja mund ta kontestojë ligjin para gjykatës. Cila gjykatë do ta shqyrtonte, ajo në Hagë apo ajo në Prishtinë, është edhe vetë pjesë e konfliktit që ky ligj ka hapur.

Përgjegjësia që nuk delegohet
Presidentja Shiroka Pula nuk vendos në vakum. Ajo u zgjodh përmes një marrëveshjeje në të cilën PDK-ja e kushtëzoi votën e saj me miratimin e këtij ligji. Në javën e parë të mandatit, vizitoi familjet e katër të dënuarve dhe u tha se do të veprojë për ligjin brenda afateve ligjore. Këto fakte nuk e vendosin përgjigjen e saj. Por e bëjnë më të rëndësishme mënyrën se si do ta japë.

Pikërisht për këtë, kthimi me arsyetim do të ishte veprimi që e mbron më shumë vetë institucionin e presidentit. Do të tregonte se vendimi për një ligj me pasoja ndërkombëtare merret pas shqyrtimit, jo pas marrëveshjes. Dhe nuk do t’ia merrte Kuvendit fjalën e fundit, sepse 61 vota janë brenda mundësive të tij.

Nëse presidentja e shpall ligjin, ajo ka të drejtë ta bëjë. Por atëherë i detyrohet publikut të njëjtin arsyetim që do t’i detyrohej Kuvendit po ta kthente. Ajo që nuk ka vend të premten është një dekret pa shpjegim, ose, më keq, një afat që kalon në heshtje.

Kuvendi votoi me urgjencë. Presidentja ka pasur tetë ditë. Të premten do të shihet nëse i ka përdorur për të menduar apo vetëm për të pritur.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.