Kungulli më i rëndë në Zvicër peshon mbi 651 kilogramë

Kungulli më i rëndë në Zvicër peshon mbi 651 kilogramë

Kungulli i varietetit “Atlantic Giant” është kultivuar nga Florian Isler nga Esslingen, Cyrih, i cili për të tretin vit radhazi ka fituar titullin në kampionatin zviceran të peshimit të kungujve dhe perimeve gjigante.

Gara u zhvillua në Bächlihof, ku gjithsej u peshuan 18 kunguj gjigantë. Në aktivitet morën pjesë 16 ekipe, ndërsa 14 prej kungujve të paraqitur në garë ishin të varietetit portokalli “Atlantic Giant” dhe katër të tjerë ishin kunguj të gjelbër, transmeton albinfo.ch.

Isler nuk u mjaftua vetëm me triumfin me kungullin 651.5 kilogramësh. Ai vendosi edhe tri rekorde zvicerane: me një “Bushel Gourd” prej 136.6 kilogramësh, një luledielli me lartësi 7.695 metra dhe një shalqi që peshonte 97.2 kilogramë.

Gjatë aktivitetit u regjistruan edhe rekorde të tjera. Familja Meier nga Dättlikon vendosi rekord botëror për pataten e ëmbël më të rëndë, me një zhardhok prej 13.6 kilogramësh, ndërsa Jürg Wiesli nga Dozwil vendosi rekord botëror me një spec djegës me gjatësi 54.3 centimetra.

Pavarësisht përmasave të jashtëzakonshme të fituesit të këtij viti, rekordi zviceran për kungullin më të rëndë vazhdon të jetë 1,054 kilogramë, ndërsa rekordi botëror është 1,278.8 kilogramë.

Për shkak të peshës së tyre të madhe, kungujt dhe perimet gjigante transportohen deri te peshorja me pirun ngritës.

The post Kungulli më i rëndë në Zvicër peshon mbi 651 kilogramë appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.