Kurti: Afrim Bunjaku, dëshmor i mbrojtjes së territorialitetit të shtetit të Kosovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për rezistencën e heroit të vendit, Afrim Bunjakut, në akademinë përkujtimore, në dyvjetorin e rënies së tij në Banjskë të Zveçanit. Kurti e ka cilësuar 24 shtatorin e vitit 2023, ditën kur ndodhi sulmi në Banjskë, si një ndër datat kyçe në kronologjinë e Republikës së […] The post Kurti: Afrim Bunjaku, dëshmor i mbrojtjes së territorialitetit të shtetit të Kosovës appeared first on Albinfo.

Kurti: Afrim Bunjaku, dëshmor i mbrojtjes së territorialitetit të shtetit të Kosovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për rezistencën e heroit të vendit, Afrim Bunjakut, në akademinë përkujtimore, në dyvjetorin e rënies së tij në Banjskë të Zveçanit.

Kurti e ka cilësuar 24 shtatorin e vitit 2023, ditën kur ndodhi sulmi në Banjskë, si një ndër datat kyçe në kronologjinë e Republikës së Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Përmes një shkrimi të publikuar nga Qeveria e Kosovës, Kurti gjatë fjalës së tij në akademinë përkujtimore për Bunjakun ka rreshtuar historikun e ngjarjeve dhe rrethanave që i paraprinë sulmit në mëngjesin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë.

“Grupi i terroristëve serbë që e sulmoi Kosovën në veri të saj, dhe që më 24 shtator 2023 ishte i përqendruar në Banjskë të Zveçanit, ishte një grup paraushtarak i organizuar, i trajnuar, i instruktuar dhe i financuar nga shteti i Serbisë. Të gjithë pjesëtarët e atij grupi janë stërvitur nga ushtria, xhandarmëria dhe policia serbe, si dhe janë furnizuar me armë, municione dhe pajisje të prodhuara në fabrikat shtetërore të industrisë së armatimit në Serbi” – citohet të ketë thënë, ndër të tjera, Kurti.

Ai gjithashtu ka përmendur të akuzuarin nga drejtësia e Kosovës, Millan Radoiçiq, për të cilin tha se ka dëshmi të pamohueshme që ka qenë i përfshirë dhe në krye të grupit në Banjskë, ka aktakuzë të ngritur në Kosovë, dhe ndonëse vetë e ka pranuar përgjegjësinë për organizimin dhe sulmin në Banjskë, është liruar nga paraburgimi një ditë pas arrestimit në Serbi, kurse tash e dy vite është edhe i lirë edhe aktiv në Beograd.

“Ndërkaq, shtetasi i Kosovës, Arbnor Spahiu, i akuzuar nga Serbia se ka qenë i përfshirë si polic në rastin e Banjskës, ndonëse ai nuk ka qenë fare pjesëtar i Policisë së Kosovës kur ndodhi ngjarja, madje prej kohësh jetonte në Gjermani, po mbahet në paraburgim që nga 7 qershori, tash e 110 ditë” – është shprehur Kurti.

Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare ka dështuar ta trajtojë me sukses si njërin ashtu edhe tjetrin rast, duke thënë se ndonëse te i pari kemi të bëjmë me një kriminel terrorist ndërkombëtar, te i dyti bëhet fjalë thjesht për një qytetar, të cilit po i shkelen liritë dhe i dhunohen të drejtat, ndonëse kurrë nuk ka pasur probleme me ligjin.

Kurti ka deklaruar se misioni për drejtësi i Bashkimit Europian në Kosovë, EULEX-i, i cili e monitoron dhe mentoron sistemin tonë të drejtësisë, duhet t’i bashkëngjitet kërkesës së Kosovës për dorëzimin e Millan Radoiçiqit autoriteteve të rendit dhe të drejtësisë në Kosovë.

Ai ka shprehur lëvdata për policët e Kosovës, për të cilët tha se morën pjesë në operacionin e 24 shtatorit të vitit 2023, për mbrojtjen e territorit të Kosovës nga shteti i Serbisë.

The post Kurti: Afrim Bunjaku, dëshmor i mbrojtjes së territorialitetit të shtetit të Kosovës appeared first on Albinfo.