Kurti nga Kuvendi deklarohet për ish-krerët: Asnjë gjykatë vendore apo ndërkombëtare nuk mund ta njollosë UÇK-në

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është deklaruar për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pak ditë para shpalljes së vendimit në procesin gjyqësor ndaj tyre.
Gjatë seancës së Kuvendit për formimin e Qeverisë së re, Kurti tha se kërkesa e Prokurorisë për dënimin e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit është, sipas tij, e padrejtë dhe në shpërputhje me të vërtetën historike të popullit shqiptar.
“Këto ditë të gjithë jemi në ankth të procesit gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit. Kërkesa e prokurorisë është e padrejtë dhe e pabesueshme, sepse është në shpërputhje me të vërtetën e popullit tonë dhe drejtësinë…”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se qëndrimi i institucioneve të Kosovës mbetet i pandryshuar, duke thënë se krimet e kryera ndaj popullatës civile shqiptare gjatë luftës janë kryer nga regjimi i Slobodan Millosheviqit.
“Qëndrimi i Republikës së Kosovës që unë e drejtoj është i njëjtë dhe i qartë: Në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe gjenocid ndaj popullatës civile shqiptare. Ato i ka kryer regjimi i Jugosllavisë së Serbisë nën Millosheviqin, asnjë gjykatë vendore apo ndërkombëtare nuk mund ta njollosë UÇK-në”, tha Kurti.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



