KDI dhe IKD: Kushtetuesja duhet ta pezullojë punën e Kuvendit

KDI dhe IKD: Kushtetuesja duhet ta pezullojë punën e Kuvendit

Konstituimi i Kuvendit pa zgjedhjen e njërit prej nënkryetarëve, atë nga PDK-ja, mund të bëhet shkak që Gjykata Kushtetuese ta cilësojë si shkelje kushtetuese konstatimin e kryeparlamentares Albulena Haxhiu se Kuvendi është i konstituuar.

Eksperti nga zyra ligjore e Institutit Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, thotë se në një rast të tillë, zgjedhja e nënkryetarëve do të kthehej në pikën zero. Sipas tij, edhe vitin e kaluarën ishin zgjedhur nënkryetarë të Kuvendit në kundërshtim me Kushtetutën.

“Është një përcaktim i qartë nga ana e Gjykatës Kushtetuese se Kuvendi konsiderohet i konstituuar në momentin kur i ka të zgjedhur kryetarin dhe të gjithë nënkryetarët, pa përjashtim. Ne kemi pasur raste vitin e kaluar që, përmes procedurave të manovruara, janë zgjedhur nënkryetarët në kundërshtim me Kushtetutën.”, tha Bugaqku për rtv21.

Përveç shkeljeve kushtetuese me konstituimin e Kuvendit pa u zgjedhur edhe njëri prej nënkryetarëve, eksperti tjetër i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala, thotë se LVV-ja shkeli edhe afatin kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit. Shala vlerëson se ishte e paarsyeshme mosvotimi nga LVV-ja i kandidates për nënkryetare të Kuvendit nga PDK-ja, Vlora Çitaku.

“Subjekti më i madh, LVV-ja, e ka shkelur afatin 30-ditor për konstituimin e Kuvendit. Është e paarsyeshme se përse shkelet ky afat, përderisa i ka pasur votat e mjaftueshme. Gjykata Kushtetuese tani ka mundësi që të përcaktojë nëse ka pasoja për shkeljen e këtij afati. Mënyra se si u soll LVV-ja nuk ishte në frymën e bashkëpunimit.”, tha Shala për rtv21

Pavarësisht se u konsiderua hap i ngutshëm dhe jo kushtetues konstatimi i kryeparlamentares Albulena Haxhiu për konstituimin e Kuvendit, LVV-ja ndërmori hapa të mëtejmë, duke thirrur një seancë tjetër gjatë së dielës për zgjedhjen e Qeverisë.

Për këto veprime, njohësit e Kushtetutës dhe ligjeve thonë se kanë efekte zinxhirore. Sipas Vullnet Bugaqkut nga KDI-ja dhe Gëzim Shalës nga IKD-ja, nëse Gjykata Kushtetuese e cilëson si kundërkushtetues konstituimin e Kuvendit në këtë rast, rrëzohet edhe Qeveria Kurti.

“Nëse konstatohet që Kuvendi është i pakonstituuar, atëherë i bie që komplet vendimmarrja e Kuvendit është e pavlefshme.”, deklaroi Bugaqku.

“Në rastin e Qeverisë Hoti, është rrëzuar Qeveria, por kanë mbetur në fuqi vendimet që ka marrë Qeveria.”, tha Shala.

Në seancën e së premtes, PDK-ja kishte propozuar për nënkryetare të Kuvendit Vlora Çitakun, por zgjedhja e saj nuk ishte mbështetur nga deputetët e LVV-së. Ky veprim bëri që Grupi Parlamentar i PDK-së të bojkotojë vazhdimin e seancës konstituive, ndërsa çështjen e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.